Xhaferi: Përveç çështjes për emrin, Maqedonia i plotëson të gjitha kriteret për në NATO

“Unë nuk mbaj llogari për atë se kush çfarë feston. Ne jemi të vetëdijshëm se në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 nga ana e institucioneve të Aleancës u proklamua  se Republika e Maqedonisë i plotëson të gjitha kriteret politike për anëtarësim të barabartë, përveç problemit për emrin. Në këtë kontekst pritet të tejkalohet ky problem edhe ftesa për anëtarësim të mund t’i dërgohet Republikës së Maqedonisë”.

Kështu u përgjigj ministri i Mbrojtjes Talat Xhaferi, sot, në pyetjen e gazetarëve nëse Republika e Maqedonisë ka arsye që të festojë, duke pasur parasysh atë se Greqia e feston  5-vjetorin e Samitit të NATO-s në Bukuresht, ku nuk morëm ftesë për anëtarësim.

“Në këtë kontekst, mbetet angazhimi i përfaqësuesit të KB-së për takimet që i paralajmëroi me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe të Greqisë, që t’i intensifikojë bisedimet dhe në këtë drejtim ne të gjithë shpresojmë se të dyja shtetet do të gjejnë një zgjidhje adekuate, të pranueshme për të dyja palët, që të mund të tejkalohet edhe pengesa e fundit, që të mundemi të bëhemi anëtare e barabartë e NATO-s”, deklaroi sot ministri Xhaferi, pas shënimit të 64-vjetorit të formimit të Aleancës në Shtëpinë e ARM-së në Shkup.

Sipas Xhaferit, pritjet për atë nëse do ta marrim ftesën e merituar për anëtarësim në mini Samitin e NATO-s që duhet të mbahet në qershor, varen nga bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e  çështjes për emrin.

“Nëse kjo ndodh, Samiti nuk është i domosdoshëm. Mini-samiti që është paralajmëruar është për përgatitjet, respektivisht për post-ISAF 2014.  Ne i ndjekim të gjitha ngjarjet që ndodhin dhe jemi të përgatitur për të gjitha vendimet që do të pasojnë më pas”, tha ministri i Mbrojtjes.

Në pyetjen nëse si Armatë jemi të gatshëm për NATO-n, ai është decid se Ministria e Mbrojtjes, në përbërjen e së cilës është edhe ARM-ja, është e gatshme për anëtarësim të barabartë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button