SHGM: Të shqyrtohet dëbimi i gazetarëve nga Parlamenti!

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) informon se nuk është e përfillur nga Komisioni anketues për zbardhjen e incidentit në Parlament ku u përzunë dhe gazetarët. Nga kjo shoqatë thonë se SHGM nuk është thirrur të dëshmojë te ky komision edhe pse ka apeluar që atëherë të ndriçohet rasti me të “hënën e zezë” me gazetarët dhe më pas edhe ndodhitë tjera në Parlament.
 
“Komisioni anketues për ngjarjet e 24 dhjetorit, në fillim ta shqyrtojë nxjerrjen e gazetarëve nga galeria e gazetarëve për shkak se ai incident është shumë më i qartë dhe nuk është i ndërlidhur me asgjë me ndodhitë tjera brenda Parlamentit”, thuhet në kumtesën e SHGM-së. Shoqata thotë se nëse Komisioni pranon kërkesën, “do të kontribuojë në dialogun me Qeverinë për ligjin për media”.

“Besojmë që Komisioni anketues do ta pranojë këtë propozim i cili do të mundësojë ripërtëritje të shpejtë të dialogut të Qeverisë me SHGM-në, që është edhe kërkesë e Komisionit Evropian (KE). Me zbardhjen e incidentit, Komisioni anketues do të kontribuojë për diskutim të hapur dhe inkluziv për draftin ligjor për media dhe shërbimet audio vizuale të propozuar nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë”, shkruhet në kumtesë. 

Sipas SHGM-së me ndarjen e incidentit me gazetarët nga ndodhitë tjera të 24 dhjetorit, do të shmanget rreziku që kjo çështje të zvarritet pa nevojë, dhe do të mbyllet mundësia që kjo të politizohet.

“Në qoftë se pranohet ky propozim, SHGM, madje do t’i ftojë gazetarët në mënyrë aktive, që të bashkëpunojnë dhe dëshmojnë para Komisionit anketues”, shkruhet në kumtesën SHGM-së. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button