Fjolla Ismaili: Elementi kryesor që bën një muzikant apo një artist të suksesshëm është disiplina (VIDEO)

Violonçelistja nga Shkupi Fjolla Ismaili, përpos muzikës, hobi dhe pasion ka edhe fotografinë. Gjithashtu, Fjolla është shumë aktive edhe në bjeshkëtari, sidomos gjatë kësaj periudhe. Për Portalb.mk, ajo na foli më shumë rreth karrierës së saj në muzikë.

“Fillimet e mia në muzikë janë në një moshë shumë të hershme. Ishte vëllai ai i cili filloi të luante në violinë, ku unë e shoqëroja në shkollë, meqenëse isha shumë e vogël, dhe aty më pas lindi dëshira që të filloja edhe unë. Në moshën 7-vjeçe fillova të luaja në instrumentin e pianos, ku më pas në shkollë të mesme si instrument zgjodha violonçelon.” tha Fjolla Ismaili.

Instrumentin violonçelo e përzgjodhi për arsye të tingujve të bukur që ka dhe mundësia për interpretime të ndryshme. Fjolla ka arritje të ndryshme, duke filluar nga vitet e para, kur luante në instrumentin e pianos, e më pas në  violonçelo. Ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare dhe koncerte, si soliste, ashtu edhe me orkestër, si dhe me muzikë kamertale.

“Një ndër arritjet më të mëdha do të kisha veçuar orkestrën internacionale rinore BYSIOC, në të cilën jam anëtare. Përpos arritjeve të ndryshme në sferën e muzikës klasike si violonçeliste, kam qenë edhe pjesë “The Voice of Albania”.” u shpreh Fjolla.

Mesazhi që Fjolla përcolli për të gjithë artistët e rinj është:

“Kurrë mos u dorëzoni nëse doni të arrini ëndërra të mëdha. Gjithçka në jetë vjen hap pas hapi, me shumë përkushtim dhe shumë dashuri.” përmbylli Fjolla Ismaili.

Elementi kryesor që bën një muzikant apo një artist të suksesshëm sipas Fjollës është disiplina. Duke mos harruar edhe dëshirën dhe pasionin e madh për artin. Kuptohet që talenti luan një rrol të madh, por, disiplina dhe përkushtimi janë ndër elementet kryesore të suksesit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button