Në Brazil mbahen protesta mbarëkombëtare kundër Bolsonaros

Mijëra njerëz në shumë qytete braziliane organizuan protesta kundër presidentit Jair Bolsonaro.

Sipas lajmeve në shtypin brazilian, mijëra njerëz në kryeqytetin Brasilia dhe 24 shtete protestuan ndaj qëndrimit të Bolsonaros ndaj pandemisë në Brazil, ku numri i të vdekurve nga COVID-19 ka shkuar në mbi gjysmë milioni.

Protestuesit, duke e konsideruar Bolsonaron përgjegjës për situatën epidemike në vend, kërkuan që presidenti të hiqet nga posti i tij dhe të gjykohet. Protestuesit mbanin pankarta kundër Bolsonaros dhe këndonin parulla antiqeveritare, transmeton Koha.net.

Brazili, vend i Amerikës së Jugut me një popullsi prej më shumë se 210 milionë banorësh, shquhet si vendi me numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në botë pas SHBA-së, me më shumë se 500 mijë vdekje nga virusi.

Presidenti Bolsonaro ka tërhequr reagime që nga fillimi i pandemisë për qëndrimin e tij nënvlerësues ndaj virusit dhe kritikave kundër masave të marra.

Në Brazil, ku ministri i Shëndetësisë u ndërrua tri herë gjatë pandemisë, më 27 prill një komision u krijua në Senat për të hetuar nëse qeveria Bolsonaro ishte neglizhuese gjatë periudhës së pandemisë.

Zyrtarët e shtetit, veçanërisht ish-ministrat e Shëndetësisë, vazhdojnë të dëshmojnë në komision.

Komisioni ka një afat fillestar prej 90 ditësh me mundësi zgjatjeje për të përgatitur një raport mbi menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë. Raporti, i cili do të përgatitet nga komisioni dhe do të mund të përdoret në gjykata, mund të çojë në fillimin e procedurave gjyqësore kundër Bolsonaros.

Deri më sot, në Brazil janë regjistruar 17.8 milionë raste me virusin, prej të cilëve 500.800 kanë vdekur, ndërsa rreth 86 milionë njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button