Daçiç: Dua të besoj fuqishëm se në 4 mars do të ketë marrëveshje

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, beson se në takimin e ardhshëm në 4 mars, me kryeministrin serb, Ivica Daçiç, do të arrihet ndonjë marrveshje, pas takimit të sotëm të pestë, që rezultoi pa marrëveshje, por që e vlerësoi “një hap përpara drejt normalizimit të gjendjes në veri”. 

“Dua të besoj fuqishëm se po”, u përgjegj kryeministri Thaçi, në një intervistë sonte nga Brukseli në Televizionin e Kosovës, ku foli për takimin e zhvilluar dje dhe sot të kryeministrave të dy vendeve, nën kryesimin e BE-së, Baroneshës Ashton. 

“Ky takim ka qenë në shërbim të angazhimeve tona për shpërbërjen e plotë të strukturave të sigurisë në veri të Mitrovicës, në shërbim të normalizimit të gjendjes komplete atje, në shërbim të rendit dhe ligjit, natyrisht edhe në shërbim të transformimit të strukturave të edukimit, të shëndetësisë, apo të shërbyesve civilë“, deklaroi kryeministri kosovar. 

“Takimi ka qenë konstruktiv, në frymën pozitive, në frymën e një qasje mund të them të përgjegjësive të plota që në të ardhmen e afër të organizohen edhe zgjedhje të lira në nivel lokal në katër komuna, sipas standardeve dhe legjislacionit kosovar, të organizuara dhe menaxhuara prej OSBE-së. Prandaj, mund të them se ka qenë një hap përpara drejt normalizimit të gjendjes në veri”, tha kryeministri Thaçi. 

“Unë dua të besoj se Serbia do t’i marrë përgjegjësitë që i takojnë për shpërbërjen e plotë e të gjitha strukturave të sigurisë, edhe të Policisë edhe të Shërbimit Inteligjent, në mënyrë që në veri të kemi institucione të Republikës së Kosovës, të kemi funksionim normal, rend dhe ligj, investime ekonomike…“, tha kreu i qeverisë së Kosovës. 

Kryeministri Thaçi tha se deri në takimin e gjashtë me kryeministrin serb, në 4 mars, mund të ketë takime të ekipeve të ekspertëve, grupeve profesioniste./Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button