Vijon takimi Thaçi-Daçiç: BE pret rezultate

Në Bruksel ka nisur dita e dytë e rrethit të pestë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçic. 

Edhe në këtë takim, ndërmjetësuese do të jetë përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton. 

Sipas burimeve nga BE, takimi i së martës i dy kryeministrave ka kaluar në atmosferë të mirë dhe konstruktive, por, megjithatë, deklarata zyrtare për rrjedhën e tij nuk janë bërë publike. 

“Ne tani jemi duke diskutuar për çështje të vështira, siç është veriu i Kosovës, andaj është e qartë se duhen shumë konsultime dhe sqarime të hollësive, sepse kjo nuk është temë e lehtë”, kanë thënë burimet e BE-së. 

Takimi i djeshëm ka zgjatur më shumë se tre orë. Para takimit direkt, Thaçi dhe Daçic kanë takuar ndarazi baroneshën Ashton. 

Kryeministri i Kosovës ka takuar edhe dy krerët e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian: kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, dhe kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. 

Në të dyja këto takime, liderët e BE-së kanë shfaqur shpresën se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë të jenë konstruktive në dialog. 

Ata kanë thënë se rezultatet e këtij procesi do të jenë esenciale për përparimin e Prishtinës dhe të Beogradit në procesin e integrimit evropian. 

Për më tepër, Barroso e ka quajtur këtë javë kyçe për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë. 

Bisedimet, të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë./Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button