Videot në Tik-Tok, u pezullua gjyqtarja e Elbasanit

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi sot pezullimin nga detyra të drejtueses së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, të kërkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) Artur Metani. Kërkesa pasoi publikimin në rrjetet sociale ku gjyqtarja shfaqet “në ambientet ku ushtron detyrën dhe brenda një automjeti, me lëvizje e sjellje provokuese, shoqëruar në sfond me muzikë të papërshtatshme për imazhin e një magjistrati”, raporton VOA.

ILD nisi menjëherë një hetim disiplinor dhe brenda tre ditësh ju drejtua KLGJ-së me kërkesën për pezullim dhe shkarkim nga detyra të gjyqtares. Në raportin e tij, Inspektori i Lartë ka shpjeguar se gjyqtarja “ka përdorur Zyrën e Kryetarit të Gjykatës, për qëllime të tjera të ndryshme, nga ato që lidhen me ushtrimin e veprimtarisë gjyqësore apo drejtuese të gjykatës. Pamjet e videove, kqyrja e të cilave është e dokumentuar edhe në procesverbalet e inspektorëve përgjegjës, konfirmojnë një sjellje totalisht të pahijshme të magjistrates, të realizuar me dashje direkte nga ajo vetë”.

Sipas ILD-së “nga hetimi disiplinor provohet se janë shkelur dispozitat lidhur me parimet e integritetit e vetëpërmbajtjes. Nga ana e magjistrates janë shkelur në mënyrë të përsëritur e me dashje“Parimi i Integritetit” dhe “Parimi i sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje”, të parashikuara në Kodin e Etikës Gjyqësore. Sjelljet dhe veprimet e magjistrates të kryera jashtë ushtrimit të detyrës, por në ambientet e ushtrimit të detyrës, diskretitojnë figurën dhe pozitën e magjistratit dhe dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, duke u parashikuar si shkelje shumë e rëndë disiplinore”.

Fjalën e saj, gjyqtarja Kapedani e cila ushtron njëkohësisht detyrën e drejtueses së Gjykatës së Elbasanit e nisi me një ndjesë publike. “Ndihem e turpëruar për sjelljen time. Ndoshta as për qëllime private nuk duhet të kisha bërë veprime të tilla”, tha ajo përpara Këshillit duke deklaruar se në karriern e saj ëhstë udhëhequr nga profesionalizmi. “Asnjëherë nuk më janë gjetur shkelje, ndaj u deshën video të miat, për të shkatërruar gjithshka timen. U bëra koke turku prej atyre që nëpërmjet meje, nuk arritën dot qëllimet e tyre”, deklaroi zonja Kapedani.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bëri të ditur se pezullimi nga detyra do të jetë në fuqi deri në përfundimin e procedimit disiplinor, si dhe i kërkoi Inspektorit të Lartë të Drejtësisë “të kryejë hetime të mëtejshme për shkeljen disiplinore që i atribuohet” e për të cilën është kërkuar dhe shkarkimi nga detyra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button