Në pikën e vaksinimit në Çair nuk kishte vaksina, qytetarët me termin u kthyen mbrapsht

Mëngjesin e sotëm, qytetarët që kishin termin për rivaksinim me “Sinofarm” u kthyen mbrapsht në pikën e vaksinimit në Poliklinikën e Çairit, pasi nuk kishte pasur vaksina. Shpjegimi që mori Sdk.mk nga kjo poliklinikë ishte se qysh në mëngjes janë harxhuar dozat e mbetura nga dje dhe presin të sjellin sasi të reja, por nuk e dinë se kur do të arrijnë, transmeton Portalb.mk.

Qytetarët e kthyer, të cilët thirrën redaksinë e kësaj medie, ankohen se terminin e kanë pasur në orën 9.30 dhe më pas duhet të shkojnë në punë, nuk mund të presin gjithë ditën në poliklinikë që të arrijnë dozat e reja.

Në pyetjen e tyre nëse këta qytetarë mund të vijnë nesër, nga poliklinika u përgjigjën: “Nëse vijnë nesër, le të vijnë sa më herët, pasi na sjellin ditë për ditë”.

Sdk.mk iu drejtua edhe drejtorit të Poliklinikës së Çairit, Seljadin Memeti, i cili tha se nga Ministria e Shëndetësisë sjellin aq doza sa janë paraqitur në “TerminiIm”.

“Ne jemi në proces të rivaksinimit me ‘Sinofarm’. Tre javë më parë dhamë dozën e parë të vaksinës kineze, ndërsa tashmë në rrjedhë e sipër është vetëm rivaksinimi. Kemi sasi të mjaftueshme, aq sa janë paraqitur përmes TerminiIm. Aq sa janë paraqitur, aq doza na shpërndahen nga Ministria e Shëndetësisë. Çdo ditë përballemi me situata të llojllojshme, qytetarët vijnë pa u paraqitur dhe pa termin dhe insistojnë të vaksinohen. Ose shkojnë në “Boris Trajkovski” dhe gënjejnë se i kemi dërguar atje për t’u vaksinuar. Kolegët nga atje na telefonojnë dhe reagojnë pse po dërgojmë qytetarë”, thotë Memeti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button