Kosovë, Polici shiti radiolidhjen dhe jelekun anti-plumb

Dy policë të Kosovës të cilët ishin duke punuar në Stacionin e Jugut në Mitrovicë, javën e kaluar, u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, ngase ata i mundësuan një kontrabandisti, këtë rast i akuzuar bashkëpunues, kontrabandimin e mallrave. 

Në arsyetimin e trupit gjykues, të përbërë nga tre gjyqtarë të Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, në i cili u kryesua nga gjyqtari Timo Vajollota, thuhet se njëri prej policëve, Nazmi Poterqoi, i kishte marr 15 euro Alban Haxhiut, i shpallur nga akuza si dëshmitar bashkëpunues dhe i kishte mundësuar atij kontrabandimin e mallrave, gjegjësisht i kishte dhënë informata se ku ndodhen kontrollet policore me qëllim të shmangies së atyre.

Me këtë rast, trupi gjykues e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënimin prej një vjet e dy muaj me kusht – prej dy vjet e gjatë muaj të mos kryejë ndonjë vepër penale.

“Nazmi Poterqoi u shpall fajtor për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit dhe për marrje të mitës dhe iu shqiptua një dënim i përgjithshëm prej një vjet e dy muaj burgim. Dënimi është pezulluar për një periudhë verifikimi prej dy vjet e gjashtë muaj”, thuhet në arsyetimin e trupit gjykues. 

Po ashtu, i dënuari Peterqoi u obligua që 15 eurot e marra nga i akuzuari bashkëpunues t’i kthejë brenda 15 ditëve, nën kërcënimin e ekzekutimit të dënimit.

Nga ana tjetër, trupi gjykues e shpalli fajtor edhe Avni Shytin, pjesëtar i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ngase ai sipas gjykatës, të akuzuarit bashkëpunues Alban Haxhiut i kishte ndihmuar në kontrabandimin e mallrave nga veriu në jug të Kosovës, dhe njëkohësisht ia kishte shitur atij jelekun anti-plumb dhe radiolidhjen pronë e Policisë së Kosovës, me qëllim të lehtësimit të kontrbandimit të mallrave. 

Me këtë rast, polici Avni Shyti u dënua me 5 muaj burgim, me kusht që ai mos të kryejë ndonjë vepër penale për periudhën e ardhshme dyvjeçare.

“Trupi gjykues e shpalli fajtor të pandehurin Avni Shyti për veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare dhe autoritetit, dhe e dënoi atë me pesë muaj burgim… Dënimi është pezulluar për një periudhë dyvjeçare të verifikimit. Shyti u lirua nga vepra penale e marrjes së mitës”, thuhet në arsyetimin e trupit gjykues. /Gazetajnk.com

Lajme të ngjashme

Back to top button