RMV, dje janë aplikuar 6.940 vaksina, deri më tani janë vaksinuar 224.336 qytetarë
Ministria e Shëndetësisë informoi se vaksinimi zhvillohet normalisht në të gjitha pikat në të gjithë vendin. Interesimi për vaksinim po rritet çdo ditë, dhe deri më tani numri i personave që kanë shprehur dëshirën për vaksinim përmes platformës në internet vakcinacija.mk është 422,503 qytetarë, transmeton Portalb.mk.
Në pikat e vaksinimit në të gjithë vendin, përfshirë ditën e djeshme, janë vaksinuar gjithsej 224.336 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e morën 2.958 qytetarë, kurse dje gjithsej janë vaksinuar 6.940 qytetarë. Në tërë territorin e vendit, janë aplikuar gjithsej 267.167 doza vaksinash, kurse janë rivaksinuar 42.831 qytetarë. Sipas shifrave të fundit, 46 përqind e popullsisë mbi moshën 70 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 39 përqind e popullatës mbi moshën 65 vjeç janë vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës.
Vaksinimi kryhet në përputhje me Planin kombëtar të imunizimit. Aktualisht po vaksinohen të rriturit, qytetarët të cilët kanë shprehur interes për vaksinim në ueb-faqen vakcinacija.mk, ndërsa po vaksinohen edhe persona të punësuar në infrastrukturën kritike. Vaksinimi masiv zbatohet në disa qytete të vendit, në A1 Boris Trajkovski në Shkup, në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir, Strumicë, Ohër, Veles dhe Prilep, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Përndryshe, dje, nga gjithsej 1,489 teste të kryera për Kovid-19 në RMV, 14 persona kanë rezultuar pozitiv ndërsa 13 persona kanë humbur betejën me virusin, gjithsej 103 pacientë u regjistruan si të shëruar.
Ndërkohë, deri tani, nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 779,581 teste të Kovid-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me COVID-19 në vendin tonë që nga fillimi i pandemisë është 155,071, numri i pacientëve të shëruar është 147,043, numri i atyre që humbën jetën është 5,342 dhe numri i rasteve aktive është 2,686.