Aleanca dhe Alternativa: Është e pakuptueshme se çfarë strategjie mund të na përgatisin Kerim dhe Bozhinovska

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa sot kanë reaguar në lidhje me emërimet e djeshme të disa prej anëtarëve në Këshillin që duhet të planifikojë Strategjinë e Politikës së Jashtme për 10 vitet e ardhshme. Sipas tyre vazhdon të rehabilitohen figura të afërta me Gruevksin, njofton Portalb.mk.

“Për veç ish ministrit të Gruevskit, i cili po udhëheqë me këtë resor, emërimet e djeshme rehabilitojnë edhe disa bashkëpunëtorë të tjerë të afërt siç është Valentina Bozhinovska dhe Sergjan Kerim. Është plotësisht e pakuptueshme se çfarë strategjie mund të na përgatisin figurat shovene dhe të komprometuara si Bozhinovska dhe Kerim. Kerim ishte i akuzuar për kalim ilegal në kufi të parave të fshehura nëpër shishe dhe se po i njëjti ishte shkaktar i shkatërrimit masiv të profesionit të gazetarisë në vend, kur la një mori gazetarësh të aftë dhe të njohur pa punë dhe pa rroga të paguara, ndërkaq Bozhinovska është e njohur kur e frymëzuar nga veprat e Adolf Hitlerit kërkoi që në stilin e tij të kryhej operacioni i “Natës së thikave”, me të cilin do të pastroheshin personat që i zinin rrugën kryetarit të saj të atëhershëm Gruevski, si nga radhët e maqedonasve ashtu edhe të shqiptarëve”, deklaruan sot nga ASH-AA.

Ata theksojnë se përkundër deklaratave të ministrit Osmani, ai nuk i ka përfshirë disa emra të respektuar në qarqet diplomatike.

“Përkundër deklarimeve se dëshiron në Këshill të ketë zëra të kundërt, ai dëshmon se kur bëhet fjalë për kuadër shqiptarë pa marrë parasysh sa profesionistë dhe të pastër janë ata, anatemohen, luftohen vetëm nëse kanë thënë një fjalë të vetme kundër BDI-së. Pse nuk u gjet vend për Blerim Rekën dhe Arsim Zekollin, që të dy ish diplomatë të shquar – pse këto figura që gëzojnë respekt në qarqet diplomatike, s’qenkan të duhur për të krijuar strategji të politikave të jashtme për një vend siç është RMV”, thanë nga koalicioni opozitar.

Ata kërkojnë përgjegjësi për kyçjen e elementeve të korruptuara në diplomaci dhe për koketime me figura të frymëzuara nga nazizmi.

“Kërkojmë rishikimin e këshillit skandaloz dhe përzgjedhjen e të njëjtit në një debat gjithëpërfshirës ku pikë së pari duhet ta thonë diplomatët e aftë, që ai i ka brenda ministrisë, por për teke politike krejtësisht i ka anashkaluar”, shtuan nga koalicioni.

Ndryshe, Valentina Bozhinoska dje u deklarua se nuk do të mund të pranojë këtë ofertë, për shkak të disa problemeve shëndetësore

Ministri, Bujar Osmani kishte mbledhje me anëtarët ku tha se ka emra me mendime të ndryshme dhe pikërisht ajo është e rëndësishme që ky këshill të dëgjojë ide dhe qëndrime të ndryshme.

Anëtarë tjerë të propozuar të këshillit janë edhe Marjan Gjurovski, Nano Ruzhin, Denko Maleski, Marko Troshanovski, Ivana Tufekgjik, Gordan Gorgiev, Lazar Elenovski, Zhivko Mukaetov, Viktor Gaber, Ajdovan Ademovski.

“Kjo do të jetë organ këshillues i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Bëhet fjalë për njerëz me cilësi, njohës të mirë të politikës së jashtme. Gjatë zgjedhjeve kam pasur kujdes që të kemi ekspertizë së gjerë, të jenë njerëz që janë të liruar nga presioni i politikës së përditshme. Jam i gatshëm t’i ndërthurim qëndrimet e ndryshme që të ndërtojmë qëndrim të përbashkët”, tha ministri Osmani në konferencën për media pas mbajtjes së takimit konsultativ.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button