Takimi Xhaferi – Mazi: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë interes të përbashkët në planin e politikës së jashtme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot u takua me kryenegociatorin e Shqipërisë më BE – në, Zef Mazi. Gjatë takimit, Xhaferi foli për situatën e brendshme në vend, si edhe përkushtimin në tejkalimin e kontesteve dekadëshe me Greqinë dhe Bullgarinë që kontribuoi që Republika e Maqedonisë së Veriut të fitojë anëtarësim në NATO dhe dritë të gjelbër nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ai po ashtu, theksoi edhe rolin e Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE, para së gjithash nëpërmjet ndryshimeve të ligjeve dhe nxjerrjes së legjislacionit të ri për proceset reformuese.

“Kryenegociatori Mazi foli për proceset aderuese të Shqipërisë në BE dhe theksoi se i përcjell dhe vlerëson rezultatet e Republikës së Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian. Ai e nënvizoi rolin vital të parlamenteve në zbatimin e mbikëqyrjes mbi hapat qeveritare  dhe ndërtimin e pozicioneve shtetërore gjatë negociatave. Mazi shprehu shpresë se pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, do të vazhdojë bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet parlamenteve të dy vendeve, sepse kjo e ndihmon procesin e eurointegrimit. Xhaferi dhe Mazi u pajtuan se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndajnë interes të përbashkët në planin e politikës së jashtme, në suazat e BE-së dhe NATO-s, të bashkëpunimit rajonal dhe përkushtimit për zhvillimin gjithëpërfshirës të Ballkanit Perëndimor”, njoftuan nga kabineti i Xhaferit.

Dy bashkëbiseduesit thanë se, për vendet e rajonit nuk ekziston alternativë, ardhmëria e tyre është në BE. Ata po ashtu theksuan se, procesi i zgjerimit nuk duhet vazhdimisht të shtyhet dhe Unioni duhet të ofrojë perspektiva konkrete për integrimin Evropian, a para së gjithash, mbajtje të konferencave të para ndërqeveritare për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Republikën e Shqipërisë, me çka do të shënohet fillimi formal i negociatave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button