Trupi votues shqiptar: BDI me humbje, PDSH me pak votues, rritje te partitë e vogla

Instituti Liberta ka publikuar analizën e tyre të fundit dedikuar elektoratit shqiptar. Sipas të njëjtës, shënohet rënie serioze e besimit të shqiptarëve ndaj partive politike, si pasojë dhe ka rënë numri i votuesve shqiptar. BDI shënon rënie të besimit ndërsa as PDSH nuk ka ndonjë mbështetje të madhe.

Në vijim e publikojmë analizën e plotë:

Analizë e trupit votues shqiptar: shumë premtime – pak besim

Ndërkohë që analizat aktuale kryesisht fokusohen në përqindjet e votuesve që do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe parapëlqimet e tyre politike, tendenca e përgjithshme e votuesve në Maqedoni tregon disa lëvizje shumë më serioze. Konkretisht, analiza e votave në vendbanimet shqiptare e pasqyron jo vetëm zvogëlimin e daljes së votuesve, por flet edhe për rënien drastike të votave për partinë qeverisëse dhe rritje konstante të qytetarëve që votojnë për konkurrentët e dy partive kryesore shqiptare. 

Në përgjithësi, në Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011, të gjitha partitë shqiptare kanë fituar 206.917 vota, krahas 235.742 votuesve shqiptarë në vitin 2002. Ndonëse në harkun e analizuar kohor shënohen lëvizje të konsiderueshme, mbetet fakti që ndryshimet në dalje dhe parapëlqime politike kanë rezultuar me rënie të deputetëve të fituar shqiptarë – 26 në vitin 2002, 28 në 2006, duke e kapur kulmin e 29 deputetëve në vitin 2008, për të rënë në 25 gjatë Zgjedhjeve 2011 si niveli më i ulët në dhjetë vitet e fundit. Analiza sipas partive tregon dallime edhe më të mëdha, ku partia aktuale në pushtet ka humbur rreth 30% të votave prej vitit 2002, PDSH që ka ritëm pak më stabil dhe partitë tjera shqiptare që shënojnë rritje të vazhdueshme – joefektive, shkaku i ndarjes së votave në më tepër parti. 

Prapavija e analizës 
Kjo analizë e synon vlerësimin e tendencave në zonat e banuara me trupin votues shqiptar, përmes krahasimit të votave që i besohen partive politike shqiptare. Konkretisht, në hartimin e analizës janë krahasuar rezultatet e 7 cikleve zgjedhore: Zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Zgjedhjet lokale të vitit 2005 – lista për këshilltarë, Zgjedhjet parlamentare të vitit 2006, Zgjedhjet parlamentare të vitit 2008, Zgjedhjet lokale të vitit 2009 – lista për kryetarë të komunave, Zgjedhjet presidenciale të vitit 2009 dhe Zgjedhjet parlamentare të vitit 2011. Analiza i shqyrton rezultatet e 21 komunave me përqindje të konsiderueshme të votuesve shqiptarë: Bogovinë, Butel, Çair, Dibër, Dollneni, Gostivar, Haraçinë, Jegunovcë, Kërçovë, Kumanovë, Likovë, Osllome, Saraj, Strugë, Shuto Orizarë, Studeniçan, Tearcë, Tetovë, Vrapçisht, Zajaz dhe Zhelinë.  

Ndërkohë që analiza nuk e trajton cilësinë e zgjedhjeve, lëshimet objektive dhe legjitimitetin e procesit që shpesh herë kontestohet, të gjitha të dhënat bazohen në rezultatet e publikuara në ueb-faqen e Komisionit shtetëror zgjedhor. Mungesa e vazhdimësisë gjatë krahasimit të rezultateve të zgjedhjeve lokale vjen si rezultat i mungesës të të dhënave zyrtare, andaj Zgjedhjet lokale të vitit 2005 bazohen në votat për këshilltarë komunalë, ndërsa Zgjedhjet lokale 2009 i referohen votave për kryetarë të komunave. Vështirësia kryesore në hulumtimin e tendencave të votuesve shqiptarë shkaktohet nga mungesa e statistikës së votuesve sipas përkatësisë etnike. Së këndejmi, kjo analizë mbështetet në supozimin se votuesit shqiptarë votojnë për partitë shqiptare dhe anasjelltas, ndonëse kjo nuk është rregull.  

BDI-ja me humbje më të madhe 
Pasqyra krahasuese e rezultateve zgjedhore tregon që Bashkimi demokratik për integrim ka pësuar ndryshim më të madh të votuesve gjatë dhjetë viteve të kaluara. Sipas të dhënave, BDI ka humbur 30% të trupit votues prej zgjedhjeve të vitit 2002, duke rënë prej 145.538 votave në 98.472. Pavarësisht faktit që BDI ka qenë në pushtet gjatë 8 prej 10 viteve të kaluara, rënia e numrit të votuesve pasqyrohet qartë edhe në numrin e deputetëve – BDI ka pasur 16 deputetë në vitin 2002, duke u rritur në 18 në zgjedhjet e vitit 2008 kur ishte në opozitë, për të rënë në vetëm 15 në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011. Padyshim, zvogëlimi i mandateve të deputetëve e ilustron jo vetëm rënien e mbështetjes së votuesve, por edhe daljen më të ulët, që pasqyrohet përmes sistemit zgjedhor proporcional.  

PDSH – më pak votues, por më besnikë
Ndonëse pa asnjë fitore në zgjedhje parlamentare dhe vetëm me disa suksese në garimet lokale, krahasimi i të dhënave tregon që Partia demokratike shqiptare ka arritur ta mbajë trupin e vet votues. Krahasuar me vitin 2002, gjatë zgjedhjeve të fundit PDSH ka marrë vetëm 3.000 vota më pak. Veçoria më e theksuar është që PDSH ka rënie më të vogël gjatë zgjedhjeve parlamentare, ndërkohë që zgjedhjet lokale të vitit 2009 e kanë sjellur vetëm gjysmën e votave të zgjedhjeve lokale 2005. Marrë në përgjithësi, zgjedhjet e fundit parlamentare i kanë sjellur PDSH-së vetëm 8 deputetë, krahas 11 të fituar në vitin 2006 dhe 2008, që mund të shpjegohet jo vetëm me rënien e mbështetjes së votuesve, por edhe me koncentrimin e tyre joproporcional në zonat zgjedhore, që rezulton me humbje të votave.  

Rritje e vazhdueshme e partive më të vogla – por të fragmentuara
Rritja e vetme, që është pothuajse konstante, shënohet tek partitë jashtë binomit BDI-PDSH. Sukseset koncentrohen kryesisht tek Rilindja demokratike kombëtare dhe Demokracia e re, të cilat mbledhin numër më të madh të votuesve. Ndonëse kombinimi i të gjitha partive më të vogla nuk mund të materializohet në mandate shkaku i fragmentimit të tyre, është evidente rritja e trupit votues prej 29.592 në vitin 2002 në 48.813 në zgjedhjet e fundit parlamentare. Zvogëlimi i votuesve të partive shqiptare, ndërkohë që ndodh rritja e votave për partitë më të vogla mund ta tregojë edhe ndryshimin e orientimit të votuesve, që megjithatë nuk janë mjaft të koncentruar për t’i shndërruar këto subjekte në faktorë më seriozë. Fakti që asnjëra parti më e vogël nuk ka garuar në të gjitha ciklet zgjedhore të 10 viteve të fundit është një arsye tjetër për mospasqyrimin e rritjes në efekte konkrete në nivel qendror dhe lokal.

 

Përfundimet
Së pari, analiza tregon rënie të votuesve që votojnë për partitë shqiptare – në nivel qendror dhe lokal. Ndërkohë që mund të ketë rritje të numrit të banorëve ose qytetarëve të moshës madhore, rënia e numrit të votuesve duhet trajtuar seriozisht, si shenjë e humbjes së besimit në përfaqësues dhe interesimit për përfshirje në rrjedhat politike. 

Së dyti, partia qeverisëse BDI ka humbje më të madhe të trupit votues prej 30%, që duket edhe më serioze nëse merret parasysh pjesëmarrja në pushtet – pothuajse e pandërprerë gjatë dhjetë viteve të kaluara. Nga ana tjetër, pavarësisht trupit stabil votues dhe kritikave të adresuara ndaj pushtetit, PDSH nuk shënon rritje serioze të mbështetjes, andaj duket që ky është kapaciteti maksimal. Rritja e votuesve për partitë jashtë binomit BDI-PDSH ndodh kryesisht për arsye të dekoncentrimit të mbështetësve, por njëherazi flet edhe për potencialin e trupit votues që kërkon opcione të reja. 

Së treti, legjitimiteti i partive shqiptare mund të rrezikohet edhe më tej, nëse vazhdon tendenca e uljes së numrit të votuesve, që rezulton me zvogëlimin e numrit të deputetëve në sistemin ekzistues proporcional dhe zhgënjim edhe më të madh në përfaqësuesit e zgjedhur dhe qeverisjen e krijuar. 

Së katërti, nëse opozita maqedonase definitivisht i bojkoton zgjedhjet lokale dhe kjo nëse kombinohet me tendencën e rënies ndaj partive në bllokun shqiptar dhe daljen e ulet, zgjedhjet lokale të 24 marsit mund të shëndrohen lehtë në fiasko- në aspekt të daljes së votuesve, duke e rrezikuar kështu edhe kufirin minimal ligjor. 

Lajme të ngjashme

Back to top button