Po rrënohen plazhet në Lagadin, koncesionerët akuzuar për selektivitet, kryetari i Ohrit tha se do të largohet çdo ndërtim i egër

Sot në Ohër ka vazhduar aksioni i largimit të objekteve të vendosura në mënyrë të paligjshme buzë Liqenit, me çka janë rrënuar plazhet në Lagadin. Me prezencë të policisë janë larguar banakët dhe objektet e plazhit “Akapulko” dhe “Plazhi 10”. Sipas paralajmërimeve, largimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme do të vazhdojë edhe në dy plazhet e tjera në këtë lagje turistike, shkruan SDK, transmeton Portalb.mk.

Pronarët e mllefosur thonë se komuna është selektive pasi plazhet para hoteleve të mëdha mbeten, ndërsa ata të tyre janë rrënohen.

“Për këto katër plazhe që rrënohen paraqitet pasqyrë e rrejshme se komuna lufton kundër mafisë urbane. Ja ne jemi mafi urbane, ndërsa këta që kanë hyrë në liqen si “Metropol”, “Belvo”, “Park” funksionojnë. Ndjehem e manipuluar dhe e mllefosur. Në këtë vend nuk ekzistonte plazh. Kam bërë edhe mur mbajtës, parking. Është investuar rreth 80 mijë euro”, tha Violeta Janevska koncesioner i “Plazhi 10”.

Koncesionerët e plazheve nga hoteli “Metropol” pranë Peshtani, thonë se plazhet e tyre nuk janë ndërtime të egra, pasi janë ndërtuar sipas projekteve të miratuara dhe kushteve të vendosura nga Ministria e Mjedisit Jetësor.

“Kanë insistuar të ketë platforma, tualete, parking. Na është thënë se do të korrigjohen marrëveshjet sipas kushteve, por me kalimin e ingerencave në vetëqeverisjen lokale vazhdimisht është ushtruar presion se do të na rrënojnë. Dy vitet e fundit nuk kemi marrëveshje për shkak të fajit të tyre, nuk kanë vendosur kushte”, tha Janevska.

Pronarja e hotelit “Lagadin”, tha se për plazhin u është ofruar të merret me marrëveshje të drejtpërdrejt, por në vend të marrëveshjes kanë marrë vendim për rrënim.

“Para “Metropol”, “Granit” asgjë nuk rrënohet, vetëm para hotelit “Lagadin” dhe para hotelit “Makotekst”. Ku duhet t’i kërkojmë ne të drejtat tona gjatë këtij selektiviteti”, tha Danica Baçovska.

Kryetari i Ohrit, Konstantin Georgievski tash më një kohë të gjatë paralajmëron pastrim të bregut dhe rregullim të plazheve para fillimit të sezonit turistik veror. Sipas tij, aksioni vazhdon me rrënimin e gjithçka që është ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

“Për çdo ndërtim aktiv të egër duhet të veprohet për largim sipas vendimit. Prej tani kjo do të jetë praktikë e zakonshme dhe për çdo ndërtim të egër do të veprohet në mënyrë adekuate. E di se ato objekte janë reprezentative dhe me të vërtetë është keq që duhet të rrënohen, por toka duhet të kthehet në gjendjen e mëparshme. Të gjithë ata persona që i kanë pasur ato plazhe nën koncesion dhe kanë kryer veprimtari duhet të jetë të vetëdijshme se koha e tyre thjesht ka mbaruar, duhet t’i lirojmë plazhet, nuk do të ketë më uzurpime me shazllone dhe mospagesë të parkingut ilegal. Ohri është trashëgimi botërore natyrore dhe kulturore, Ohri është i të gjithë neve, gjithë ato plazhe janë të të gjithë neve dhe ne këtë vit do t’i lirojmë. Nuk do të lejojmë më uzurpim të tokës shtetërore dhe të kenë interes financiar prej tokës që është e të gjithë neve”, tha Georgievski.

Më së voni deri më 15 qershor duhet të përfundojë pastrimi i plazheve nga objektet e përkohshme dhe ato të rregullohen me rërë nga pellgu i Liqenit të Ohrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button