Barbarizimi i shqiptarëve në Maqedoni

“Hamendësimi se çdo kulturë qenka homogjene është një gabim i madh. Të konstatosh një “përplasje kulturash” është gjithashtu një gabim i madh”. Sen.

 Për parantezë: Keni vënë re që në të gjithë retorikën politike maqedonase të kohës së fundit, shqiptarët e këtij shteti, në rastin më të mirë, përmenden vetëm si përqindje: “mbi 20 përqindëshi”, ose po futen në kategorinë e bashkësive ose po “popullata jo-shumicë”? Shqiptarë quhen vetëm ata të Republikës së Shqipërisë, ndërsa ne këtu jemi pa emër, jemi ata “mbi 20%”.  

Në shumë dokumente zyrtarë, si ligjet, rregulloret, deklarata të ndryshme, etj. shqiptarët figurojnë vetëm në kategorinë e bashkësive. Pra mes turqve, serbëve, romëve, vllehëve, etj. A thua se e gjithë kjo betejë dhjetravjeçare për barazi është bërë vetëm për t’u njësuar me to?

Si bashkësi mes bashkësive tjera të vogla u njësuam edhe në Ligjin për mbështetje të produksioneve muzikore vendore, leximi i parë i të cilit u votua në Kuvend me votat e BDI-së më 26 korrik 2013. Ligji në thelb promovon muzikën popullore maqedonase, pop muzikën maqedonase. Në këtë ligj “mbi 20%” quhemi vetëm në nenin ku thotë, që shpalljet për konkurrim duhet të botohen në dy gazeta maqedonase dhe në një në gjuhën që flasin “mbi 20%”.   

Por shpesh ne degradohemi edhe më poshtë se kaq.

Në statusin e “Skopje Fest” që është organi zyrtar për zgjedhjen e këngës në Eurovizion, është vënë një amendament  i cili thotë që këngët konkurruese duhet të këndohen në gjuhën maqedonase. Disa herë artistët shqiptarë kanë dërguar këngë në konkurrim por zhvleftësohen menjëherë me argumentin se gjuha nuk qenka e shumicës. Dhe për absurd, sivjet në Eurovizion Esma Rexhepova këndon në gjuhën Rome. Qysh kur gjuha rome na qenka e pranueshme per EUROSONG e gjuha shqipe jo???

Me këtë ligj, artistët që kanë marrë pjesë në natën finale të EUROSONG-ut nga 1998 e këtej marrin automatikisht 10 pikë nga totali prej 100 pikësh ku listohen kriteret konkurrues. Shqiptarët automatikisht përjashtohen nga ky privilegj pikësh.

Në një rast, më saktë në Komisionin e Kuvendit për kulturë, ministrja e kulturës tha që ajo nuk bën dallime mes artistësh. Se i vlerëson dhe i çmon të gjithë njësoj, pa marrë parasysh dallimeve etnike.

Ministria e Kulturës është institucion politik në kuadër të Qeverisë. Aty nuk pohohen preferenca subjektive mbi artin apo deklarata universale, por hartohen politika me inpakt të drejtpërdrejtë mbi fatet e artistëve e të cilat realizohen me paratë nga buxheti i shtetit.  

Pushtetarët e kësaj qeverie kur bëhet fjalë për projekte të ndryshme flasin me regjistra të ndryshëm. Për shembull, kur bëhet fjalë për projekte maqedonase, flitet gjithmonë në të kaluarën: Kemi ngritur Teatrin e ri të vjetër me vlerë 36 milionë euro, Teatrin e Velesit 10 milionë euro, Filarmoninë, Sallën universale, etj etj. Por, sapo flitet për projektet shqiptarë ndërron regjistri kohor, flitet gjithmonë në të ardhmen: do rindërtojmë Teatrin shqiptar të Shkupit, Teatrin e Tetovës, Bibliotekën e Tetovës, etj., etj.

Nga 22 festivale vetëm “Këngë jeho” si festival shqiptar ka status të rregullt. Dhe ky festival sivjet financohet me një buxhet të mjerë prej 400.000 denarësh.

Në mesin e mbi 60 artistëve të pavarur, shqiptarë ka 1 apo 2.

Nga 35 talentë të rinj që studiojnë jashtë shtetit, shqiptarë ka zero. Asnjë.

Ndërsa kur jemi te filmi, nga 2008 deri 2013 për produkcionet shqiptare në total janë alokuar vetëm 9% nga buxheti i përgjithshëm. Ndërsa të lëvruara janë më pak se 5%, po aq sa ka marrë Rade Sherbexhija me vetëm një projekt.  Një numër i madh projektesh shqiptare vazhdojnë të qëndrojnë në sirtar për arsye të ndryshme, kryesisht burokratike. Do përmend vetëm projektin “Elina” që ka fituar në konkursin e vitit 2011 dhe ende s’po i lëvrohen mjetet.

Dhe për fat të keq, faktet e sipërpërmendur janë vetëm një pjesë e mozaikut shumë të zymtë e financimit të kulturës shqiptare në Maqedoni. Artistëve shqiptarë fonde nga buxheti i shtetit marrin veçse në sasi lëmoshe.  

Në Ministrinë e kulturë, në 13 sektorë, gjendet vetëm 1 udhëheqës sektori shqiptar, ndërsa në 38 njësi, nuk sheh asnjë udhëheqës njësie shqiptar. Faqja e internetit e Ministrisë së kulturës nuk është në shqip, aplikacionet për projektet e Ministrisë nuk janë në shqip, broshurat e të gjithë materialet tjera që burojnë nga kjo Ministri nuk janë në shqip.

Vihet re, që kjo Ministre jo që nuk i vlerëson artistët shqiptarë, por nuk i vlerëson shqiptarët në përgjithësi. Ah, më falni, harrova Sekretarin shtetëror, për të cilin ajo tha se është profesor i respektuar dhe i ndershëm. Për habi, fraza “shqiptar i ndershëm” po risillet sërish në fjalorin e politikës ditore. Për t’u theksuar është patjetër edhe zelli dhe energjia e deputetit Bexhihudin Shehabi, i cili me aq ngulm avokaton këto politika kulturore.     

Dy javë para se në Ohër të mbahet Festivali Ballkanik i këngëve dhe valleve popullore, dhe fillimit të  Festivalit “Vera e Ohrit” Kuvendi ratifikoi Marrëveshjen për bashkëpunim në sferën e kulturës mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Dhe për ironi të kësaj Marrëveshjeje, në festivalin Ballkanik nuk merr pjesë asnjë shoqëri kulturo artistike shqiptare, ndërsa në Verën e Ohrit, përveç një pjese teatrale nga Teatri shqiptar i Shkupit nuk u pa asnjë pjesëmarrës tjetër shqiptar. Ndërkaq në të dy evenimentet kulturore shkëlqejnë grupe nga vendet sllave. Në verën e Ohrit janë të paktën 10 pjesëmarrës nga Rusia në mos më shumë, por ka nga Serbia, Mali i Zi, etj.

Unë këtu, por edhe në përgjithësi, vë re në lloj skizofrenie identitare me politikat që po zbaton kjo Qeveri. Nga njëra anë ajo zhvillon dhe kultivon idenë e gjenezës së antikitetit, nga ana tjetër, parapëlqen dhe kultivon lidhjen shpirtërore me sllavët, si në rrafshin kulturor, por edhe në atë politik. Kur dihet që në Antikitet, hapësirën duhet ta kenë ndarë me Ilirët, pra shqiptarët.

Por tani, unë në të vërtetë, kërkoj të di pse ndodh e gjithë kjo kaq hapur. Se gjithmonë jam habitur se me sa lehtësi, pa u shqetësuar fare, kjo nomenklaturë merr guximin të sjell kësisoj ligjesh përjashtuese e të zbatojë kësisoj politikash duke minimizuar skajshmërisht ekzistencën e bashkëqytetarëve taksapagues “mbi 20 përqindësh”.

Përgjigjja logjike që më vjen është se kjo Ministri dhe kjo Qeveri ka qasje raciste ndaj qytetarëve të saj shqiptarë pra “mbi 20 përqindëshin”. (Kur them kjo qeveri nuk përjashtoj BDI-në në asnjë rast. Kjo vetëkuptohet. Si retorikë mund të tingëllojë e rëndë, por faktet flasin vet. Fajtor bëhet edhe bashkautori që hesht veprën ose nuk e denoncon atë).

Më lejoni ta shtjelloj pak këtë gjykim.

Në kohët moderne flitet për racizëm pa raca. Ky lloj racizmi i mundëson një grupimi shumicë që ka pushtetin, ta përkufizojë pakicën si “jo normal” apo të paktën “ndryshe” dhe të bëjë çmos për t’ia vështirësuar kushtet e jetesës. Me këtë sistem klasifikimi, me të cilin klasa shumicë në pushtet përpiqet që të justifikojë praktikat sociale, ekonomike, politike, në mënyrë që të përjashtojë një grupim tjetër nga qasja në burimet materiale apo kulturore, këto praktika shkurt e qartë janë praktika raciste. Kjo qeveri pa diskutim i zbaton këto praktika. Këtë nuk e them vetëm unë, e ke edhe në të gjithë raportet ndërkombëtare për Maqedoninë. I tjetërsuar dhe i degraduar nuk është vetëm ai që nuk ka bukë, por edhe ai që s’ka qasje në të mirat e mëdha të njerëzimit.

Çfarë është qëllimi i  këtij racizmi përveç atij socio-ekonomik. Qëllim i tij ka të bëjë sidomos me konsolidimin apo prodhimin e IDENTITETIT. Kjo ide ka nevojë që përball të ketë një grupim etnik inferior, (lirisht mund të thuhet edhe barbar), për ta cilësuar atë si “tjetri”. Ju duhet patjetër ky soj tjetri për të thënë “Ne”. Dhe ky tjetër natyrisht që duhet të jetë barbar, që uni maqedonas të shquhet si superiori apo klasa sunduese. Unë besoj se për këtë qëllim është hartuar dhe një projekt konkret. Fabrikimi i tjetrit si barbar nisi me Enciklopedinë. Vazhdoi me librat shkollorë të historisë, gjeografisë, muzikës, ku shqiptarët përçmohen dhe fyhen, pasoi me “Shkupi 2014” për të thënë ne jemi të civilizuarit, e tani është faza e shkatërrimit të objekteve të kulturës shqiptare, si Muzeu i Kongresit. Me këtë fazë të fundit implikohet fakti se ne shqiptarët nuk jemi të denjë as në gjuhë, një gjuhë e mohuar e “mbi 20 përqindëshit  të këtij shteti. Për këto 11 vitet e fundit më duhet të konstatoj me dëshpërim, se Bashkimit Demokratik për Integrim i takon një meritë e madhe në barbarizimin e Kombit shqiptar në Republikën e Maqedonisë.  

(Autori është deputet i PDSH-së në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë)

Lajme të ngjashme

Back to top button