ANALIZË: Kamatat e kursimeve po bien në mënyrë të “të pandalshme” – niveli më i ulët në dekadën e kaluar! (Infografik)
Vazhdon trendi i uljes së kamatave për kursime – kamata mesatare për depozitat totale ra në 0.92%. Portofoli i depozitave të bankave po rritet – por kamatat po bien. Ka ulje si të kamatave ashtu edhe të kredive. Në fillim të këtij viti, si baza e depozitave ashtu edhe ekspozimi kreditor arritën vlerat më të larta, me ç’rast depozitat totale tejkaluan vlerën prej 7 miliardë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Përmbajtje nga shpenzimet – kursimet në rritje
7.1 miliardë euro fantastike qëndrojnë në banka – depozita të të gjithë klientëve. Kursimet po shënojnë rritje edhe në fillim të këtij viti ekonomik. Të dhënat e reja tregojnë se baza e depozitave në shkurt u rrit për 7.1% në bazë vjetore.
“Depozitat totale të sektorit të korporatave, në shkurt, u rritën për 0,5% në bazë mujore. . Analizuar në bazë vjetore, depozitat e sektorit të korporatave ishin më të larta për 13.7%, për shkak të rritjes së parave të depozitave dhe depozitave afatshkurtra dhe afatgjata në valutë të huaj”- theksojnë nga Banka Popullore. Lidhur me depozitat e amvisërive, ata konstatojnë:
“Te depozitat e përgjithshme të amvisërive, në shkurt, është regjistruar rritje mujore prej 1.3%. “Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këto depozita u rritën për 5.2%, tërësisht për shkak të ndikimit të nivelit më të lartë të parave të depozitave dhe depozitave afatshkurtra në valutë të huaj.”
Sipas bankierëve, rritja e depozitave, përkundër trendit të uljes së kamatave, është një trend i pritur në kohë të krizës ekonomike. Qytetarët përmbahen nga shpenzimet “joproduktive” nga frika e pasigurisë ekonomike. Prandaj, bankierët thonë, megjithëse kamatat për kursimet kanë rënë tashmë nën 1 për qind – kursimet vazhduan, me një theks në depozitat afatshkurtra në valutë të huaj te amvisëritë.
Pas analizës së gjenezës së ndryshimit të kamatave të kursimeve – të dhënat tregojnë se që nga viti 2011, kamatat aktuale të kursimeve janë në nivelin më të ulët historik.
Përqindjet kulmore të kursimeve janë zvogëluar prej kohësh – kështu që në vitin 2011 kamatat për depozitat në denarë ishin rreth 5 për qind, ndërsa për kursimet në valutë të huaj mbi 2 për qind. Që nga ajo kohë, ka filluar një trend rënës i kamatave të kursimeve.
Kreditë e përgjithshme në vlerë prej 5.8 miliardë euro
Kamatat e depozitave janë në rënie – e po ashtu u regjistrua edhe rënie e re e kamatave të kredive.
“Në shkurt, përqindja mesatare e kamatës për kreditë e miratuara për sektorin e korporatave ishte 3.70%, dhe u ul minimalisht në bazë mujore. Te përqindja e kamatës për kreditë e sapo aprovuara për sektorin e korporatave, këtë muaj, u regjistrua një rritje mujore prej 0.16% dhe arriti në 3.76%. Rritja e përqindjes është rezultat i rritjes së përqindjes së kamatave për kreditë në denarë. Analizuar në bazë vjetore, përqindja e kamatës së për kreditë e aprovuara rishtazi për sektorin e korporatave u ul për 0,06%” – theksojnë nga BPRM-ja.
Në fund të shkurtit të vitit 2021, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave arriti në 5.8 miliardë euro, nga të cilat 2.8 miliardë euro janë kredi për sektorin e korporatave, ndërsa kreditë e amvisërive arritën në 3 miliardë euro. Është interesante se në fillim të këtij viti, është regjistruar një kërkesë në rritje për kredi për banesa.
“Rritja vjetore e kredive të amvisërive në janar arriti në 7.4%, me ç’rast kishte rritje edhe të kredive për banesa edhe të atyre konsumatore. Sa i përket strukturës së valutës, kreditë në valutën vendase kanë një kontribut më të madh në rritjen vjetore të kredisë” – thuhet në raportin e fundit të BPRM-së.
Para do kohësh, Banka Popullore e uli përsëri kamatën bazë me pritjen që bankierët do të ndjekin këtë sinjal për uljen e mëtejshme të normave të kamatave për kreditë, veçanërisht tani në kohë të krizës ekonomike, por kamatat më të ulëta për kreditë çojnë në një ulje edhe të kamatave të depozitave.