Dhjetëra të vdekur në një aksident hekurudhor në Tajvan
Së paku 34 njerëz humbën jetën kur një tren në Tajvan doli nga shinat në një tunel. Autoritetet thanë se ekipet e shpëtimit po përpiqen të futen në vagonët brenda tunelit, që, sipas tyre, “janë dëmtuar rëndë”.
Sipas policisë hekurudhore të Tajvanit, mbi 70 njerëz u plagosën, transmeton REL.
Treni raportohet se transportonte rreth 350 vetë.
Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, tha se një numër njerëzish mbeten ende të bllokuar brenda trenit.
BREAKING: At least 36 people were killed in a #train derailment in #Taiwan, the authorities said. The #crash is Taiwan’s deadliest in decades. pic.twitter.com/mzOAVOLScx
— Newsflash GBA (@GbaNewsflash) April 2, 2021
“Mekanizmat e shpëtimit emergjent janë vënë në dispozicion për të sëmurët dhe të plagosurit. Shpëtimi i të bllokuarve është prioriteti ynë më i lartë tani”, tha ajo.
Sipas raporteve të mediave lokale, aksidenti ndodhi kur një automjet mirëmbajtës ra në shinat e trenit.
Aksidenti pranë qytetit Hualian duket se është më i rëndi në Tajvan në disa dekada.
Në vitin 2018, 18 persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti hekurudhor atje.
Një aksident më i rëndë ka ndodhur në vitin 1991, kur 30 pasagjerë kanë vdekur pas përplasjes së dy trenave.