Tajvani: Luftanijet kineze po vazhdojnë stërvitjet në Paqësor
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të hënën se një grup luftanijesh kineze, i udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Shandong, ndodhet rreth 222 kilometra larg bregut juglindor të ishullit, e njëjta anije që mori pjesë në lojërat luftarake të Kinës rreth ishullit në fillim të këtij muaji, transmeton VOA.
Tajvani njoftoi më parë se aeroplanmbajtësja Shandong, e prodhuar në vitin 2019, kishte lundruar në ujërat në Paqësorin Perëndimor përmes kanalit Bashi që ndan ishullin nga Filipinet në prag të takimit të Presidentes Tsai Ing-wen me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy në Los Anxhelos.
Pas kthimit të zonjës Tsai në Tajvan, Kina organizoi disa ditë stërvitje rreth ishullit, në të cilat u angazhuan aeroplanmajtësja Shandong dhe avionë luftarakë.
Në një deklaratë të shkurtër, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se grupi i luftanijeve kineze ishte ende në Paqësor për stërvitje dhe ndodhej 222 kilometra në juglindje të Kepit Eluanbi, në skajin jugor të ishullit dhe pritet të kalojë në ujërat pranë tij.
Forcat e armatosura të Tajvanit po i gjurmojnë nga afër luftanijet dhe po “përgjigjen në mënyrë të duhur”, tha ministria tajvaneze e mbrojtjes.
Gjatë stërvitjeve në fillim të këtij muaji, Kina transmetoi pamje të aeroplanmbajtëses Shandong dhe ato të nisjes së avionëve luftarakë nga platforma e saj.
Në mars të vitit 2022, Shandong lundroi përmes ngushticës së Tajvanit, vetëm disa orë përpara se presidentët kinezë dhe amerikanë të takoheshin për bisedime.
Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të teorritorit të saj dhe ka rritur presionin ushtarak në vitet e fundit në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez.
Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.