RMV, nga e hëna pritet vaksinimi kundër Kovid-19 i gazetarëve, edukatorëve, gjykatësve dhe disa kategorive të tjera

Katër mijë vaksina nga dërgesa prej 24.000 dozave të “AstraZeneka-s” nga fillimi i javës së ardhshme do të përdoren për vaksinimin e infrastrukturës kritike të shtetit në vend, vendosi Grupi Kombëtar Teknik për Imunizimin kundër Kovid-19, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Shëndetësisë thotë se grupet e mëposhtme bëjnë pjesë në infrastrukturën kritike: punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të cilët janë më të rrezikuar dhe për të cilët MPB duhet të paraqesë listat sipas rrezikut, punonjësit e ARM-së gjithashtu sipas listës së paraqitur nga institucioni për grupet më të ekspozuara, gazetarët e punësuar në media, punonjësit në prokurori dhe gjykata, shoferët e autobusëve në NQP “Shkup”, zjarrfikësit, edukatorët e kopshteve dhe të punësuarit  në pikat pagesore.

“Me këtë vendim, grupi teknik për imunizim konsideron se do të mbrohen ata të punësuar të cilët kanë më së shumti kontakte dhe dhe janë në rrezik të lartë. Të gjithë grupet tjera sipas shkallës së rrezikut do të vaksinohen në fazat e ardhshme dhe bëjmë thirrje për durim dhe mirëkuptim”, thonë nga Ministria.

Imunizimi masiv kundër kovid-19 fillon nesër në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin, me qytetarë mbi 75 vjeç. Ata duhet të thirren nga mjekët amë, të cilët do t’u tregojnë terminin dhe vendin.

Deri më tani në vend janë vaksinuar 7.005 persona, gjegjësisht punonjës shëndetësorë nga Kovid-qendrat. Ministria akoma nuk ka të dhëna se sa shtetas të Maqedonisë janë vaksinuar në Serbi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button