Regjistri për pedofilë, vetëm në gjuhën maqedonase

Versioni në gjuhën maqedonase, është i vetmi version në të cilën funksionon regjistri i pedofilëve në Maqedoni, të cilin, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, e lëshoi në përdorim gjatë vitit të kaluar. Si i tillë, ai, theksojnë ekspertët, humb kuptimin e tij parësor në një shoqëri multietnike. Nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, vlerësojnë se me qëllim që të kryen misionin e vet parandalues, ueb sajti medoemos duhet të jetë edhe në gjuhë tjera. 

“Maqedonia është shtet multietnik dhe duhet të mbahet llogari edhe për atë pjesë. Nëse veç më qëllimi i këtij regjistri është që të mbron dhe të parandalon, atëherë kjon duhet të ofrohet për të gjithë qytetarët” shprehet Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit. 

Lulzim Haziri, nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike, është i mendimit se regjistri në fjalë, është vetëm një nga të tillët që i ofrojnë institucionet publike shtetërore. Ai dyshon në funksionalitetin e këtij servisi, duke shtuar se injorimi i versionit në gjuhën shqipe, qartë pasqyron mos dëshirën e institucioneve për të komunikuar me një pjesë të rëndësishme të popullatës. 

“Ky ueb sajt është në atë vazhdën e shumicës së ueb sajteve të institucioneve publike shtetërore të cilat nuk i japin rëndësi komunikimit edhe me një strukturë të madhe të popullatës, siç është bashkësia etnike shqiptare, e cila kalon çerekun e popullatës në shtet. Të injorosh një çerek popullate e më tepër, përmes mos dëshirës për të komunikuar, do të thotë të mos jesh serioz në zgjidhjen e problemeve që mundohesh të ofrosh përmes një regjistri të tillë të pedofilëve, sepse kjo dukuri nuk njeh përkatësi etnike, por është dukuri mentale më tepër, për të cilën gjë duhet të ndërmerren masa “, deklaron Haziri.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, nën mbikqyrje të së cilës është regjistri, nuk ndajnë mendimin se ueb sajti nuk është funksional. Në një deklaratë për Portalb, zëdhënësi i kësaj ministrie, Davor Politov, është shprehur se çështja e njëgjuhësisë është vetëm problem teknik. Ai ka deklaruar se numri i vizitorëve, i cili ka arritur rreth 300.000, është dëshmi për funskionalitetin e regjistrit. 

Ndryshe, kohëve të fundit janë paraqitur disa raste të pedofilisë anembanë republikës, duke e aktualizuar këtë fenomen sërish mes qytetarëve dhe institucioneve.  Vetëm gjatë muajve të fundit, janë bërë të ditura 43 raste të pedofilisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button