ASH-AAA: Rezultat e konkursit të Ministrisë së Kulturës janë skandaloze

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, nëpërmjet një konference për media, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të programit nacional vjetor të Ministrisë së Kulturës, nga konkursi i fundit për financim të projekteve nga sfera e kulturës. Nga ky koalicioni i kanë quajtur skandaloze rezultatet e shpallura nga ana e ministrisë, duke thënë se, kjo qeveri, si në çdo sferë tjetër, edhe në kulturë e vazhdon paradigmën e diskriminimit ndaj shqiptarëve, transmeton Portalb.mk.

“Po fillojmë me veprimtarinë e Bibliotekës. Aty nga gjithsej 8 projekte të personave juridikë ose fizikë, vetëm 2 janë shqiptarë. Shprehur me shuma, bibliotekave të rajoneve shqiptare do u jepen vetëm 4.650 euro nga gjithsej 10.097 euro. Ndërsa sa u përket institucioneve nacionale, nga gjithsej 111 projekte, vetëm 7 janë shqiptare, me vlerë 11.382 euro, kjo nga gjithsej 204.230 euro. Sa i përket veprimtarisë së Dramës, ku i përfshijmë institucionet nacionale, personat fizikë dhe ata juridikë, mund të shihet qartë dallimi i madh i financimit të projekteve shqiptare kundrejt atyre maqedonase. Këtu vlen të theksohet se nuk është mbështetur festivali “Akt Fest” dhe Stand Up Komedia, që në dy vitet e kaluara ishin freski e vërtetë në Shkup për dashamirët e dramës dhe komedisë. Nëse flasim me numra, kjo i bie që nga 1.408.413 euro, vetëm 404.848 euro janë ndarë për shqiptarë dhe 77.811 euro për bashkësitë e tjera etnike në vend”,  tha Faton Fazliu nga ky subjekt politik, i cili përmendi edhe sferat e tjera ku shqiptarët kanë marrë shumë më pak projekte krahasuar me numrin e përgjithshëm të projekteve që janë miratuar.

“Në veprimtaria e Botimeve dhe letërsisë nga gjithsej 1.167.713 euro që janë ndarë, për projekte shqiptare janë paraparë vetëm 274.370 euro. Te veprimtaria Ndërkombëtare nga gjithsej nga 191 projekte të miratuara, vetëm 28 janë shqiptare ose, shprehur me shifra, nga shuma e përgjithshme 556.977 euro, për përfaqësimin e kulturës shqiptarë jashtë vendit janë paraparë vetëm 111.054 euro. Te veprimtaria e Muzeve nga gjithsej 702.630 euro, diku më pak se 60.000 euro janë paraparë për projekte shqiptare. E që skandali të jetë më i madh, për Muzeun e Alfabetit në Manastir janë paraparë 6.500 euro, ndërsa për Muzeun e Nënë Terezës vetëm 1.626 euro.  Në veprimtarinë e Muzikës nga gjithsej 2.091.472 euro për shqiptarët janë paraparë më pak se 330.000 euro. Dhe, në gjithë ketë shumë mjetesh nuk janë gjetur mjete për mbështetje të festivalit më të vjetër për fëmijë “Bletëzat”, deklaroi Fazliu.

Ai shtoi se, Ministria e Kulturës për kulturën shqiptare ka ndarë vetëm 18%, që nuk është as gjysma e asaj që ne e kishim ndarë për kulturën shqiptare vitin e kaluar. Pra, kaq vlen kultura shqiptare për ministren, gjoja qytetare, Irena Stefoska, dhe kaq vlen kultura shqiptare për ata çunat shqiptarë aty që luajnë role statiste të Zëvendësministrit e të Sekretarit Shtetëror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button