Arratisja e Mijallkovit, VMRO-DPMNE-ja kërkon dorëheqjen e Spasovskit

VMRO-DPMNE-ja sot kërkoi nga Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski të japë dorëheqjen menjëherë, duke marrë përgjegjësinë e tij për arratisjen e ish-shefit të DSK-së Sasho Mijallkov, transmeton Portalb.mk.

“Përderisa Spasovski azhurnonte anëtarësinë nëpër shtëpi, Sasho Mijallkov i iku para syve. Edhe pse institucionet qysh të shtunën e dinin se kishte rrezik të arratisej, Ministria e Brendshme 24 orë nuk ndërmori asgjë dhe pritën që të ikte” thonë nga VMRO-DPMNE në një kumtesë, duke iu referuar informacioneve të lëshuara dje nga Prokuroria për periudhën kur Mijallkovi me gjasë ishte arratisur.

Përgjegjësia e Spasovskit gjendet, siç thonë nga VMRO-DPMNE-ja, në “faktin që Spasovski dinte për arratisjen e Mijallkovit dhe nuk ndërmori asgjë”, kështu që ata konkludojnë se “Spasovski me vetëdije e la Mijallkovin të arratisej”.

Opozita edhe një herë theksoi se ekziston dyshim i bazuar për marrëveshje ndërmjet Zaevi-Spasovskit-Mijallkovit për arratisjen e tij.

Nga VMRO-DPMNE-ja dje u dhanë autoriteteve 24 orë kohë që të gjejnë Mijallkovin, në të kundërtën kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë.

Ndryshe, ish shefi i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, është arratisur të dielën, pak para se gjykata ta shpallë aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa” në të cilin ai është i dyshuar se e ka kryer përgjimin masiv në RMV. MPB dje e nxori me fotografi dhe biografi të shkurtër në tablonë e personave që kërkohen me fletë-arrest të brendshëm dhe ndërkombëtar. Prokuroria dyshon se dikush i ka ndihmuar Mijallkovit, pasi policia ka qenë duke e vëzhguar atë dhe ka pasur kontakt vizual, deri pak para arratisjes. Reagime të shumta për arratisjen e tij ka pasur si nga qytetarët nëpër rrjetet sociale, por edhe nga kryeministri e presidenti. Kërkohet përgjegjësi, por ende nuk është gjetur përgjegjësia për kushëririn e Mijallkovit, Nikolla Gruevski, i cili u arratis nga Maqedonia e Veriut në Hungari, për t’i shpëtuar burgut. Për dallim prej tij, Mijallkov kishte deklaruar se nuk është “stili i jetës së tij, ikja”, megjithatë iku.

Me kërkesë të MPB-së, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për Mijallkovin.

Të akuzuarit në rastin Target-Fortesa janë, Sasho Mijallkov, ish-ministrja e Brendshëm, Gordana Jankulloska dhe disa punonjës të ish-DSK-së të cilët akuzohen për përgjime të paligjshme të mbi katër mijë numrave telefonikë midis viteve 2008-2015. 

Në fjalët përfundimtare, dy prokurorët kërkuan pesë vite dënim për përgjegjësit e përgjimeve të paligjshme dhe pesë vite dënim për keqpërdorimin e pozitës zyrtare për të akuzuarit e rastit.

Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për përgjimin e komunikimeve në DSK, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, 4,286 numra telefoni janë ndjekur në mënyrë të paligjshme për të cilat nuk janë lëshuar fare urdhëresa gjyqësore.

Komunikimi ishte ndjekur para se të lëshoheshin dhe pas skadimit të vlefshmërisë së urdhrave të gjykatës në 1,541 numra ose gjithsej 5,827 numra telefoni. Të përgjuar ishin mbi 20 mijë qytetarë.

Mijallkov, në dëshminë e tij të parë pretendonte se nuk ka asnjë provë se mijëra bisedat e regjistruara janë nga Drejtoria dhe se përgjimet janë realizuar atje. Ai pretendoi se shumë lehtë përgjimi ka mund të bëhej jashtë sistemeve të DSK-së.

Me datë 26 shkurt gjykata do ta shqiptojë aktgjykimin.

Lexoni më shumë për rastin “Target-Fortesa” duke klikuar KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button