Uskana, shqiptarët dhe matematika

M’u tha edhe mua të shkruaj për Kërçovën . Ka shumë dhe ka asgjë për Kërçovën mendova. Ka shumë shtëpi , plot. Shtëpitë kanë shumë kate, shumë. Kemi dhoma , dhoma të mëdha. Të mëdha e të zbrazëta, boshe …vetëm qoshe. Ka shumë rrugë në Kërçovë , me gropa e pa gropa. Rrugë të vetmuara, të kota, që s’i mban dhe toka.  Ka shumë ëndrra Kërçova, tepër. Ka plot histori, shumë. Ka heronj Kërçova, të vdekur . Ka fjalë Kërçova ,me thes. Ka njerëz Kërçova?! Këtu romantizmi bien dhe më tepër se kurrë të ngjall nevojën për të potencuar “hiçi-n” karshi “shumës” . Këtu të duhet patjetër të zgjohesh jashtë poezive , këngëve e përrallave dhe të futesh në një katrahurë shifrash nga të cilat varet fati kërçovarë. Prandaj, ju që s’e doni matematikën, për Kërçovën , tani duhet ta doni. 

Ç’na thotë matematika jonë ? Matematika thotë : “Unë them si thoni ju”. Për t’mos hyrë në një lojë “më thaje –të thash” me matematikën, le ta formojmë ne vetë  llogarinë tonë. Në zgjedhjet 2013 kërçovarët më tepër se kurrë kanë nevojë për një matematikë të mirëfilltë dhe mbi të gjitha, për një hartim të mirëfilltë të saj. Fillimisht, Kërçova humbi shumë kohë . Kohë kjo që doemos shërbeu në favor të fqinjëve tonë, si gjatë kryesimit me këtë komunë  ashtu edhe në aspekt të organizimit më të gjatë për ditën e zgjedhjeve lokale në  Kërçovën, Zajazin, Osllomenë, Dërgovën dhe Vraneshnicën e bashkuar. Bashkimi që duhej të bëhej më 2008-ën  , u arrit sot, vite më vonë. 
Si të arrihet fitorja është çështja? Për fat të keq, duhet t’u referohemi shifrave dhe të dhënave ekzistuese që ndonëse janë fiktive  apo joreale, ne s’kemi ku tjetër të mbështetemi.  Sipas të dhënave në librin : “Popullsia e përgjithshme, familjet dhe banesat në Maqedoni” të formuluar nga Enti statistikor, Kërçova disponon më  gjithsej 30138 banorë  ( 28112 qytetarë me të drejtë vote ) prej të cilëve 16140 maqedonas, 9232 shqiptarë, 2430 turq, 1630 rom, 76 vlleh, 56 serb, 7 boshnjak dhe 567 të papërcaktuar. 
Në Kërçovën  e bashkuar nga 9232 shqiptarë llogariten rreth 6500 votues, ndërkaq komuniteti turk llogarit në 1600 votues dhe ai rom në 1000 votues. Zajazi pritet të vijë me rreth 10 000 votues, Osllomeja me rreth 8650, Vraneshnica me rreth 800 si dhe Dërgova me rreth 2700 votues.  Ajo që në fakt bën përshtypje është numri i votuesve maqedonas prej rreth 19 000 , që është qesharak në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullatës maqedonase në Kërçovë prej rreth 16 000 .Votues më tepër se njerëz ! Tani, a thua mund edhe të vdekurit të votojnë? Paj, jo shumë e besueshme , por ama, mund të gjallët të votojnë në emër të të vdekurve. Kjo po që është shumë e besueshme dhe kjo është ajo që pikërisht ndodh. 
Qytetarët maqedonas përpos që votojnë dyfish njëherë nëpër fshatra e pastaj në qytet, ato edhe votojnë për familjarët e ndjerë të tyre që nuk janë paraqitur kurrë si të vdekur .Kjo nuk mjafton. Duke parë rrezikun e fitores së shqiptarëve si shumicë në Kërçovë me bashkimin e komunave , ka filluar edhe pajisja me dokumente zyrtare të identifikimit të qindra maqedonasve nga jashtë vendi  . Si duket fqinjët tanë kohë më parë kanë përpiluar teknikat dhe metodat për të fituar superioritetin karshi nesh  saqë edhe kontradiktat nëpër rezultatet statistikore te Enteve shtetërore haptazi shpallen  dhe kjo s’i bën kujt përshtypje. Dokumente identifikimi jepen falas duke mos dhënë llogari për kriteret e shpërndarjes së po të njëjtave. Dorën në zemër , bravo ju qoftë. Bota ndërtojnë identitete më buste, ura dhe ndërtesa antike , transportojnë votues andej-këndej, “vrasin larg”- thotë populli, por ama s’kanë pse të ndjehen në siklet miqtë tonë. Në fakt, me këto shifra që disponojmë , shqiptarët edhe ashtu s’janë aq afër fitores. Pse?

Në bazë të një studimi të bërë nga  Instituti Liberta- Qendra për hulumtime politike dhe ekonomike nga Shkupi, thuhet se : “…nevojiten 6.235 votues për balancimin etnik të votave (përkthyer në mjete transporti – 31 avionë ose 125 autobusë të mbushur me votues shqiptarë me të drejtë vote në ditën e votimit ). Ato japin një pasqyrë se si do te dukej  komuna e re e Kërçovës, po të ishin zgjedhjet lokale 2013 të njëjta me ato të vitit 2009. Për ti rënë më shkurt, në “zgjedhjet lokale të vitit 2009 në komunat e cekura (Kërçova e kombinuar me Vraneshticën, Drugovën, Zajazin dhe Osllomenë) kanë dalë në votime gjithsej 24.502 votues, prej të cilëve 14.544 maqedonas dhe 8.309 shqiptarë.” 
Këtu edhe arrimë tek thelbi : Numri i shqiptarëve të regjistruar në këto komuna, nuk ka vlerë poqese nuk reflektohet në numrin e votuesve. Na duhen jo vetëm njerëz, por njerëz – votues , përndryshe numri i shqiptarëve mund të bëhet vetëm pjesë e lëvdatave dhe fryrjeve euforike të shqiptarëve në bisedat e zakonshme të kafeneve pa ndonjë peshë politikë në realitet. Bashkimi i komunave në fakt, bart në vete rrezikun e humbjes së Osllomesë dhe Zajazit. Ndonëse numri i këshilltarëve shqiptarë do të rritej, ne sërish do të ngelnim pakicë në rast humbjeje. Kjo do të thotë së nëse tani humbim, humbim shumë më shumë se çkemi humbur më parë.  Ku shpresat?

Shpresat tek plagët . Ndonëse me shifra e statistikë, s’ke se si të shkruash për shqiptarët e t’mos bëhesh romantik. S’ke se si të shkruash për shqiptarët e t’mos ua shohësh plagët. Ne presim nga mërgimtarët. Me bindjen që ato kanë një pasqyrë të rrugëve të Kërçovës jo vetëm ditëve e netëve të verës kur ato ngjallen, por edhe stinëve të tjera ku të rinjtë s’ka ditë që t’mos thonë : “Duam jashtë !” , me bindjen se gjallëron ende tek ato gjeni i kombit që i mbajnë emrin, me bindjen se jo vetëm dasmat i bëjnë të kujtohen për truallin ku kanë shtëpitë, me bindjen se ato do te dinë të bëhen shembulli më i denjë se si duhen trojet, ne presim nga mërgimtarët. Mërgimtarët tanë kurrë  më tepër se tani s’do të kenë rast më të mirë për të dëshmuar përkushtimin ndaj vendlindjes së tyre. 
As që do të kenë rast më të mirë për t’ua dëshmuar fëmijëve të tyre se si duhet të ndihmohet Kërçova që më  së shumti e shohin një herë në vit. As që do të kenë rast më të mirë për të transformuar thirrjet euforike : “O sa mirë me qenë shqiptarë!” në vepra,përfitime e krenari konkrete.Në botën e shekullit XXI, shpesh dashuri shprehet me shifra e jo me fjalë. Në botën e këtij shekulli vendlindja duhet me vota e jo me këngë , dasma e valle. Përshtatu ose vdis !

Kjo është më tepër se një luftë votash. Kjo është më tepër se “Rroftë partia!” . Kjo është edhe më tepër se një fitore politike. Kjo është gjallërim i ëndrrës së kamotshme : “Uskana e shqiptarëve.”  “Kur thyet çerrja, xhinen udhët ” – e dëgjova. Të mos lejojmë të gjejmë zgjidhje pasi t’ia pësojmë njëherë keq .Kur të thyejmë karrocën, të mbani mend, do të flasim më vrull, nervozizëm , keqardhje dhe dëshpërim se si duhej të kish qenë. Kur të thyejmë karrocën do t’ia mbathim në këmbë , por në këmbë të nderuar ecet shumë ngadalë. Ne edhe ecim se jemi mësuar që të shqyejmë këmbët në gracka të historisë , herë nga të huajt e herë nga vetja. Ndonëse dhimbja nuk do të jetë aq e madhe sepse  jemi bërë edhe imun ndaj dëshpërimit , por ama ndaj inatit jo. Në mos për më tepër , për hir të atij inati që do t’na hajë qelizat kur të shohim të tjerët të na kalojnë pranë më karrocë e ne të zbathur, për hir të atij inati në mos për më tepër -të zgjohemi. Gjumi rrit fëmijët, por popujt i vdes. E si rriten fëmijët në një komb të vdekur ? Jetimë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button