U mbajt takimi ‘historik’, Jahjaga-Nikoliq

Në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, rreth orës 18 e 30 ka përfunduar takimi i cilësuar si historik ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë, Tomislav Nikoliq.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet presidentëve të të dyja shteteve, që prej përfundimit të luftës në vitin 1999, dhe shihet si një hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vlerësuar takimin e së mërkurës me presidentin serb, Tomislav Nikoliq, si një takim të parë dhe të barabartë në marrëdhëniet shtetërore në mes të dy shteteve.

Ajo e ka quajtur ballafaqimin me homologun serb si hapje të një kapitulli të ri. “Është hapje e kapitullit të ri në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane”, ka thënë para gazetarëve, presidentja Jahjaga, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Presidentja e Kosovës ka thënë se takimi i saj me homologun serb paraqet “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre kah integrimi evropian”.

Nga ana e tij, presidenti serb, Tomislav Nikoliq, ka deklaruar se i ka thënë presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga se dialogu nuk mund të çojë ka një zgjidhje e përbashkët nëse ajo vazhdon të këmbëngulë në pavarësinë e Kosovës.

“I kam thënë se poqese këmbëngul se Kosova është shtet i pavarur, dialogu nuk mund të lëvizë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, e cila do të mundësonte jetë më të mirë dhe anëtarësim në BE”, i ka thënë Nikoliqi, televizionit serb B92.

Ai ka shtuar se nga rrëfimet e librave për të drejtat e njeriut dhe për jetë më të mirë në anëtarësim në BE, Jahjaga ka insistuar me ngulm se dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë sa më mirë dhe të harrojnë konfliktet e së kaluarës.

“Takimi si njoftim ka qenë i dobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, u shpreh Nikolliq.

Fillimisht, Ashton ka takuar ndarazi Nikoliqin dhe më pas Jahjagën.

Në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme thuhet se takimi u zhvillua “në një atmosferë të hapur dhe konstruktive”.

“Unë takova sot në Bruksel, presidentin Nikoliq dhe presidenten Jahjaga në kuadër të përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve. Pasi i takova ata veç e veç, mbajta një takim të përbashkët me dy kryetarët që u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive. Ne diskutuam dialogun që po vazhdon, të cilin unë jam duke e ndihmuar, ndërmjet kryeministrit Daçiç dhe kryeministrit Thaçi. Dialogu ka prodhuar tashmë një numër arritjesh të rëndësishme, duke iu falënderuar angazhimit konstruktiv nga të dyja anët. Ne jemi tani duke e trajtuar çështjen e veriut të Kosovës dhe javët e ardhshme do të jenë vendimtare. Dy presidentët Nikoliq dhe Jahjaga më siguruan mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe angazhim për dialog dhe agjendat e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në komunikatë.

Ashton ka rikonfirmuar “perspektivën evropiane” për të dyja vendet, dhe ka inkurajuar palët të vazhdojë me përpjekjet e nevojshme për përparimin e mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian, në pajtim me Konkluzione e dhjetorit 2012 të Këshillit të BE-së. /gazetajnk

Lajme të ngjashme

Back to top button