Ohër, Kujtim Useini bartës listës së pavarur për këshilltarë komunal

Një pjesë e konsiderueshme  e qytetarëve shqiptarë në Ohër kanë marrë iniciativë për të krijuar dhe garuar në zgjedhjet lokale të Marsit me listë të pavarur për këshilltarë komunal në këtë qytet.

Ashtu siç konfirmon edhe vetë bartësi i kësaj liste, Kujtim Useini, lista e kandidatëve për këshilltar komunalë në këtë qytet përbëhet nga qytetarë të sinqertë me vizion të qartë. Useini thekson për portalb.mk se në listën që kryesohet nga ai, ka kandidatë edhe nga komunitetet tjera që jetojnë në Ohër dhe se qëllimi i tyre është përfaqësimi i drejtë i tyren këtë komunë.

“Iniciativa jonë për të garuar në këtë mënyrë erdhi si pasojë e nevojës për të pasur më shumë ndikim në komunë në interes të bashkësive etnike që jetojnë në Ohër. Ideja jonë ka hasur në një mbështetje të madhe nga qytetarët shqiptarë por edhe turq, maqedonas myslimanë si dhe të tjerë, ngase njerëzit tashmë e vlerësojnë aktivitetin tonë dhe timin personal gjatë mandatit tim të parë si këshilltar në këtë komunë, ku edhe pse isha si kuadër i Partisë për ardhmëri evropiane, politika dhe puna ime kishte për qëllim vetëm përmirësimin e kushteve dhe jetës dhe punësimin e komuniteteve të anashkaluara këtu në Ohër siç janë shqiptarët, turqit, maqedonasit mysliman dhe të tjerët”, theksoi Kujtim Useini.

Useini tha se fillimisht ju ka ofruar bashkëpunim partive politike shqiptare në Ohër, por me ato nuk ka gjetur gjuhë të përbashkët.

“Ju kemi ofruar bashkpunim si BDI-së ashtu edhe PDSH-së për të dalë me lista të përbashkëta dhe për të fituar sa më shumë poste këshilltarësh në komunën e Ohrit, ku mund të bëhemi edhe faktor kryesor dhe kështu të realizojmë interesat tonë politik dhe ekonomik, por nuk kemi rënë dakord me këto. Kemi potencial që të bashkuar të arrijmë deri në 5 këshilltarë, por fatkeqësisht partitë politike kanë interesa të tjera që ne nuk mund tu përzihemi dhe të ndikojmë tek ato. Rezultatet e punës sime si këshilltar në mandatin e kaluar janë evidente edhe sot, ku mund edhe vetë të konstatoni në lidhje me investimet që janë bërë në zonat ku jetojnë shqiptarë dhe komunitete tjera pakicë në Ohër si dhe rritjen e numrit te të punësuarve në administratën komunale” shtoi bartësi i listës së pavarur të kandidatëve për këshilltarë në Ohër Kujtim Useini.

Në mbështetje të listës së pavarur për këshilltarë në komunën e Ohrit janë vënë edhe shumë individë dhe anëtarë të partive politike shqiptare në këtë qytet, të cilët vlerësojnë se me mbështetjen e kësaj liste mund të arrijnë në dy ose më shumë poste këshilltarësh dhe kështu do të kenë më shumë ndikim në komunë, mënyrë kjo e përshtatshme për të arritur synimet e tyre në sferën e zhvillimit dhe përparimit në qytetin e Ohrit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button