VMRO dëshiron ta limitojë kohëzgjatjen e fjalimeve të deputetëve

Deputetët të flasin disa herë, por jo më gjatë se 20 minuta, ndërsa koordinatorët e grupeve parlamentare jo më gjatë se gjysmë ore gjatë shqyrtimit të përgjithshëm të ligjeve gjatë leximit të parë në Komisionin përkatës. Këtë propozim e dha sot kryetari i Komisionit për çështje të rregullores, mandateve dhe imuniteteve, deputeti i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski i cili me këtë propozon ndryshim të rregullores të Kuvendit të Maqedonisë ku do të kufizohet koha e diskutimit në Komisionet e Parlamentit.

“Në lexim të dytë, gjegjësisht gjatë diskutimit për amendamente, deputeti të ketë të drejtë të flet një herë jo më gjatë se 10 minuta ndërsa koordinatori i grupit parlamentar jo më gjatë se 15 minuta, kështu që gjatë shqyrtimit të përgjithshëm të amendamenteve, diskutimi mund të zgjatë më shumë tre ditë. Në procedurë të shkurtuar ose të përshpejtuar, propozoj që deputeti të flet njëherë në afat prej 10 minutave, koordinatori 15 minuta, ndërsa debati mos zgjat më shumë se 2 ditë.  Rregullat e njëjta do të vlejnë edhe për procedurën e miratimit të Buxhetit të Maqedonisë, por këtu lëmë një fleksibilitet më të madh, përkatësisht, gjatë leximit të parë debati të mund të zgjat 10 ditë, ndërsa në lexim të dytë debati të zgjat 5 ditë” propozoi kështu sot në Kuvend, Nikollovski.

Ai thotë se me këtë ndryshim të rregullores nuk do të ketë më bllokim të debateve në Parlament dhe se praktikën e tillë e hasim në parlamentet evropiane.

Propozimi i tillë i VMRO erdhi pas diskutimeve maratonike të BDI-së në Komisionin për çështje politike ku ditë me radhë deputeti i BDI-së Talat Xhaferi ka heshtur ose ka recituar poezi. Njashtu, debat të stërzgjatur kishte edhe për Buxhetin e Maqedonisë i cili në fund u miratua në mënyrë skandaloze me dhunë në Parlament. /Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button