U premtua gjatë fushatës zgjedhore, Sh.F “Ismail Qemali” nuk është rikonstruuar ende
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu në “Kontratën” e tij ku ai paraqiti programin e tij në fushatën parazgjedhore në zgjedhjet e kaluara lokale, mes tjerash ka premtuar edhe shumë projekte sa i përket rikontruimit të shkollave fillore në territorin e kësaj komune, shkruan Portalb.mk.
Në këtë program ai ka premtuar edhe rikonstruim të Shkollës Fillore “Ismail Qemali”. Megjithatë, edhe pse premtoi se projekti për rikonstruimin e kësaj shkolle do të përfshinte: rikonstruim të fasadës, rikonstruim të kulmit, rikonstruim të gardhit, rregullim hortikulturor, fushë loje me rekuizita, pajisje urbane, rrugicë për këmbësorë, zgjerimi me 10 paralele, një gjë e tillë nuk është realizuar.
Madje, për realizimin e këtij projekti, ai kishte premtuar buxhet prej 83,950,200,00 denarësh.
Megjithatë, ambienti i jashtëm i shkollës mbetet i parregulluar. Gazetarja e Portalb.mk, ka kapur fotot nga terreni ku oborri nuk mirëmbahet, ndërsa një pjesë e tij, përpos se nuk është me rrugica të premtuara për këmbësorë, ka edhe baltë, sidomos gjatë stinëve kur bie shi dhe borë.
Sa i përket zgjerimit të paraleleve, Ganiu në programin e tij ka premtuar 10 paralele, ndërsa në deklaratën e dhënë për Portalb.mk më 22 janar, ai tha se do të zgjerohen 8 paralele.
“Është premtuar projekti për rikonstruimin e shkollave dhe deri më tani kemi gjashtë shkolla të rikonstruara. Do të fillojmë edhe me realizimin e premtimin për zgjerimin e 8 klasave të reja te shkolla fillore Ismail Qemali, aneks shtesë për shkak se aty është numri i madh i nxënësve dhe ka nevojë për hapësira të reja”, u përgjigj Ganiu.
Kujtojmë se gjatë fushatës së tij zgjedhore, Ganiu kishte premtuar edhe rikontruim të çerdheve, megjithatë as ato deri më tani nuk janë rikonstruuar.