Spasovski konfirmoi se deri tani 14 persona janë ftuar në polici për dëmtim të pronës shtetërore, gjatë protestës për “Monstrën”

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në konferencë për shtyp konfirmoi se gjatë ditës së djeshme janë identifikuar 14 persona dhe janë ftuar në bisedë informative në stacion policor, në lidhje me siç tha ai, pjesëmarrjen në dhunën ndaj pronës shtetërore gjatë protestës për rastin “Monstra”, që u mbajt më 29 janar në Shkup, njofton Portalb.mk.

“Ne kemi punuar në Njësinë për Krim të Dhunshëm dhe tanimë janë identifikuar dhe gjatë ditës së djeshme janë ftuar 14 persona, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë marrë pjesë në dhunën ndaj objekteve apo pronës së shtetit. Do të ketë edhe padi penale kundër të gjithë atyre që kanë sulmuar zyrtarë policor apo kanë dëmtuar pronën e shtetit, gjegjësisht objektet dhe automjetet e MPB-së”, tha Spasovski.

Siç tha ministri të ftuarit janë mbi 18-vjeç, përveç njërit, i cili është ftuar të shkojë në stacion me shoqërim të prindit.

“Të gjithë janë mbi 18 vjeç, vetëm njëri është nën 18 vjeç dhe atë e kemi thirrur që të vijë në stacion policor bashkë me prindin e tij. Çdo person i cili ka kryer vepër penale, patjetër duhet të mbajë përgjegjësi, nuk është me rëndësi se kush është, çfarë nacionaliteti ka, cilës fe i takon, apo partie, por nuk është me rëndësi edhe nëse ai është nën apo mbi 18 vjeç, patjetër të mbajë përgjegjësi në bazë të dispozitave ligjore”, tha Spasovski.

Nga MPB thonë se procedura nuk ka mbaruar dhe, ata po punojnë në identifikimin e personave tjerë, të cilët gjithashtu do të thirren në bisedë.

Paraprakisht, Blerim Ahmedi, organizatori i protestës kundër rastit “Monstra” në Shkup, njoftoi se ka marrë gjobë prej 510 eurosh nga policia pas incidenteve që u shkaktuan në qendër të kryeqytetit.

“Nga shteti i MV nuk kam marrë asnjë cent si qytetar i këtij vendi, ndërsa tani duhet të paguaj 510 euro”, shkroi Ahmedi, i cili të martën ishte thirrur për bisedë informative në stacionin policor Bit Pazar. Ai gjithashtu postoi fotografi ironizuese të gjobës, me të cilën nënkupton që nuk do ta paguajë.

Më 29 janar familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe qytetarë nga mbarë vendi në Shkup dolën në  protestë në Shkup, pasi  Prokuroria i dha fjalët përfundimtare dhe me të njëjtat, akuzoi se për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, të gjithë të akuzuarit janë fajtorë, me përjashtim të Sami Lutës, për të cilin e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.

Gjykimi për rastin “Monstra” në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar sërish valë pakënaqësie në opinion. Edhe pse ende nuk ka mbaruar dhe pritet që gjykatësit të thonë fjalën e fundit, kërkesa e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për 3 persona, është shkak për riaktualizimin e protestave, pas atyre të të tensionuara të vitit 2014-të. Që konfuziteti dhe acarimi në opinion të jetë më i madh, përpos avokatit të të akuzuarve që thotë se ata janë të pafajshëm, problem shtesë është dhe deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”. Por, tani ai thotë se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button