RMV, prej nesër veturat me targa të huaja mund të regjistrohen me tarifa më të lira për 50%

Prej nesër do të fillojë regjistrimi i automjeteve me targa të huaja me tarifa më të ulëta për 50%. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi thotë se sot ose nesër në Gazetën Zyrtare do të publikohet Rregullorja për miratime individuale të automjeteve dhe me atë qytetarët do të munden ta shfrytëzojnë çmimin preferencial që t’i riregjistrojnë automjetet, njofton Portalb.mk.

“Me ligjin i cili u miratua parashihet që të miratohen rregullore përkatëse, a dje Ministria e Ekonomisë e miratoi Rregulloren për miratime individuale të automjeteve. Tani Byroja për Meteorologji dhe institucionet tjera si Drejtoria Doganore munden lirisht të fillojnë me regjistrimin e automjeteve të cilat parashikohen me zgjidhjen e re ligjore”, tha Bekteshi duke u përgjigjur në pyetje gazetareske gjatë vizitës në kompaninë “Rade Konçar”.

Me këtë zgjidhje ligjore pritet që në buxhet të hyjnë 20 milionë euro të ardhura.

Ky përfitim do të vlejë për të gjitha automjetet të cilat kanë hyrë në vendin tonë deri më 1 tetor të vitit 2020. Qëllimi i zgjidhjes ligjore është mundësi për qytetarët, pronarët ose shfrytëzuesit t’i regjistrojnë automjetet me targa të huaja në territorin e Maqedonisë së Veriut. Pronari ose shfrytëzuesi i automjetit ose personi i cili e ka blerë automjetin duhet që t’i rregullojë të gjitha obligimet doganore dhe tatimore për automjetin në afat prej gjashtë muajve nga dita që hyn në fuqi ky ligj dhe të posedojë leje të vlefshme qarkullimi, sigurim dhe karton të gjelbër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button