Edhe Tifozat Kuq e Zi protestuan kundër dhunës ndaj shqiptarëve në Maqedoni (VIDEO)

Dhjetëra tifozë kuqezi protestuan para godinës së Parlamentit ne Tirane, kundër dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në Shkup, nga grupe huligane maqedonasish. 

“Nuk e njohim më Maqedoninë, kështu që nuk kemi arsye më të bëjmë protesta tek ambasada e saj në Tiranë. Jemi mbledhur në përkrahje dhe në solidaritet të vëllezërve tanë. Në Maqedoni fëmijë dhe të rinj shqiptarë po keqtrajtohen vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare”, thotë Gentian Rrugija, përfaqësues i tifozëve kuqezi.

Me pankartën ku shkruhej ‘Po sikur të ishin fëmijët tuaj, si do reagonit?’ dhe fotot e fëmijëve që rreth një javë më parë u rrahën barbarisht në rrugët e Shkupit, tifozët kuqezi kërkuan nga shtetit shqiptar që të reagojë në mbrojtje të bashkëkombasve tanë në Maqedoni.

“I bëjmë thirrje politikës të dalë dhe mos të bëjë më këtë politikë qorre, të mendojë sikur të jenë fëmijët e tyre se faktikisht janë fëmijët e tyre se ata janë shqiptare dhe të mos shkojnë vetëm në bazë të deklaratave, sepse është vonë, nëse dicka del jashtë kontrollit”, thotë Rrugija. 

Dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve në Shkup, ku nuk u kursyen as fëmijët e vegjël, vjen pas emërimit të Talat Xhaferrit në krye të Ministrisë maqedonase të Mbrojtjes. Ekstremistët maqedonas protestuan kundër këtij emërimi pasi sipas tyre, Talat Xhaferri ka qenë komandant i ‘Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare’. Pas protestës para selisë së kësaj ministrie, një grup prej 200 maqedonasish rrahën banorët me etni shqiptare, ndërkohë që dy prej tyre u  shtruan në gjendje të rëndë në spital./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button