Shqipëria, burim i drogës së sekuestruar në Maqedoni dhe Evropë

Shqipëria vijon të mbetet një vendburim i rëndësishëm i kanabisit që sekuestrohet në Europën Lindore dhe Qendrore me një volum total prej 2,194 kg, më shumë se 80 % të sasisë totale të konfiskuar gjatë vitit 2011. 

Kështu shkruhet në raportin e fundit të Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve, një organizëm i pavarur që monitoron konventat e OKB-së për kontrollin ndërkombëtar të drogës. Sipas raportit, trafikimi I kanabisit vazhdon në nivele të larta në Europën Qëndrore dhe Lindore kryesisht nga vende si Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali I Zi dhe Bosnja. 

“Ka prova se prodhimi i kanabisit në rajon po luan një rol të rëndësishëm në rrjetin furnizues të tregut europian të kanabisit”-thuhet në raport. Ky i fundit konstaton ndërkohë se ka patur një ulje të kanabisit vendas të sekuestruar në Shqipëri, ndërsa raportohet për rritje të kultivimit të kësaj droge nga Bullgaria dhe Ukraina. Ndërkohë sipas raportit kanabisi që tregtohet në Kroaci e ka origjinën në Shqipëri dhe trafikohet nga grupet e krimit të organizuar përmes Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. 

Ndërkaq edhe sasia më e madhe e kanabisit e kapur në Maqedoni, vinte nga Shqipëria dhe i referohet 105 kg të sekuestruara në 11 qershor 2011. Sipas raportit, trafikantët e kokainës përdorin portet në Kroaci dhe Greqi për transportimin e drogës në Europën Lindore. 

Nga aty kokaina dërgohet në porte më të vogla në Mal të Zi dhe Shqipëri, që më pas transportohet në rrugë tokësore në Kosovë dhe Serbi, apo edhe Bosnje përpara se të arrijë në tregun e Europës Perëndimore. /ballkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button