Ibrahim Kolari: RTVM nuk më përfilli, jam i revoltuar, Gorenca mohon

Kandidati i pavarur për komunën e Dibrës, Ibrahim Kolari thotë se është i revoltuar dhe i shqetësuar për qasjen e Radiotelevizionit të Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe sepse është anashkaluar në emisionin debativ për zgjedhjet lokale përkundër dy kundërkandidatëve të tjerë të partive BDI dhe PDSH për garën zgjedhore për komunën e Dibrës.

“Redaksia në gjuhën shqipe ka shkelur parimet bazë dhe kodin e sjelljes lidhur me mbulimin e fushatës zgjedhore, duke më diskriminuar dhe anashkaluar nga debati në televizionin publik. Arsyetimi i kryeredaktores Migena Gorenca ka qenë i pabazë dhe se ajo duke shfaqur anësimet e saj politike tashmë të njohura, nuk diti të fshehë këtë formë të censurës.  Si dëshmi diskriminimi është një debat tjetër ku ishte ftuar një kandidat i pavarur përballë dy kandidatëve të partive tjera” reagon Kolari duke theksuar se është i shqetësuar nga një vendim dhe skenarë i tillë për të censuruar një kandidat të pavarur dhe se kjo dukuri nuk ndodhë në shtetet që pretendojnë demokracinë dhe lirinë e fjalës.

Ai do ta adresojë shqetësimn e tij edhe tek Këshilli për Radiodifuzion, Komisioni Shtetëror Zgjedhor, OSBE, ambasada e SHBA-ve dhe BE si dhe organizata të tjera ndërkombëtare me seli në Shkup.

Nga ana tjetër, kryeredaktorja e programit në gjuhën shqipe në Radiotelevizionin e Maqedonisë, Migena Gorenca programi në gjuhën shqipe thotë se nuk ka pasur shkelje sepse ky televizion respekton rregulloren e tyre të brendshme të zgjedhjeve.

“Këtë rregullore e kanë edhe misionet ndërkombëtare edhe Radiodifuzioni i Maqedonisë dhe është aprovuar prej tyre. Me këtë, kandidatët e pavarur kanë minutazhën e tyre pa pagesë në televizionin tonë dhe sot e ka shfytëzuar vetëm një njeri. Kanë dy minuta të flasin. Ndërsa në debat ne thirrim vetëm përfaqësues të partive politike e jo kandidatë të pavarur” tha për Portalb, Gorenca. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button