Rrezarta Bojaxhiu, me zërin e saj arriti të dëgjohet në shumë vende të botës

Rrezarta Bojaxhiu, është me preardhje nga Kosova, e cila momentalisht jeton në Gjermani. Me zërin e saj të fuqishëm, arriti të dëgjohet në shumë vende të botës. Karriera e saj muzikore filloi në moshë shumë të re, kur kishte vetëm gjashtë vjet, shprehet ajo në një intervistë për Portalb.mk.

“Pas zbulimit të talentit tim për muzikë, prindërit më dërguan në shkollën e muzikës. Në moshën shtatëvjeçare, konkurova në një konkurs për muzikë klasike dhe fitova një vend në një operë që isha pjesë për katër vite.” tha Rrezarta.

Edhe se e re në moshë, Rrezarta ka shumë arritje në sferën e muzikës. Ajo ka arritur shumë fitore, por, kulmi i karrierës së saj është:

“Padyshim që pjesëmarrja ime dhe arritja deri në gjysmë finale në Voice Kids Germany, ishte kulmi i karrierës sime. Por, unë, që në moshën 11-vjeçare kam zënë vendin e parë në një festival të muzikës në Islandë dhe vendin e dytë në një shou televiziv në Islandë. Gjithashtu, edhe pjesëmarrja në ‘Island Got Talent’ ka qenë një eksperiencë e mirë për mua. “ u shpreh Rrezarta.

Kur përmendet Rrezarta, të gjithë kujtojmë një vajzë e cila u ngjit në skenën e “Voice Kids Germany” dhe performanca e saj atje, përveç se rrëqethi gjithë jurinë, publikun, videoja e Rrezartës u përhap dhe u dëgjua në gjithë botën!

“’The Voice Kids Germany’ ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua, për t’u njoftuar me një audiencë më të gjerë. Pjesëmarrja ime ishte aty pak më ndryshe, sepse unë performova një Aria klasike nga Puccini dhe ishte një sukses që më dergoi deri në gjysmëfinale.”  tha Bojaxhiu.

Së fundmi, Rrezartën e shohim shumë aktive me publikime të projekteve të saj muzikore, madje njëri prej tyre u punua në studion e Yll Limanit.

“Edhe pse viti 2020 nuk ishte i mirë për shkak të pandemisë, unë arrita t’i lancoj dy këngët e mia Mas shumti në botë nga Armend Rexhepagiqi dhe Don’t Let Go nga RRecords. Për këtë vit, jam duke punuar në tri këngë të reja. Njëra prej tyre është një bashkëpunim me një këngëtar amerikan, që pritet të lancohet në muajin qershor.” deklaroi Rrezarta.

Mesazhi i Rrezartës për artistët e rinj është:

“Mesazhi im për të rinjtë shqiptar është që duhet të punojnë për atë që mendojnë se është e mirë, vetëm mos tërhiqen nga synimet e veta. Përmes portalit tuaj, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë shqiptarët që më dhanë mbështetje shumë të madhe, sidomos në ‘Voice Kids Germany’. Do të mundohem që mbeshtetjen e tyre t’ua kthej me muzikë të mirë dhe cilësore. Falemnderit, ju dua shumë.” e përmbylli Rrezarta Bojaxhiu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button