Shqipja në Kuvend grind BDI dhe PDSH

Sot në Kuvend opozitarja PDSH serish ka akuzuar partinë në pushtet BDI për paaftësinë e tyre të zbatojnë plotësisht gjuhën shqipe në Kuvend.

Zijadin Sela nga PDSH në shenjë proteste kërkoi pauzë një orëshe.

“Unë tani tek qytetari dëgjohem i dubluar pa pikë emocioni dhe nga 25 zëra sa duhet të jenë deputetë shqiptarë këtu shndërrohen në dy zëra një zë mashkulli dhe një zë femre, dëgjohemi me përkthim. Ky problem duhet të gjej zgjidhje, ashtu siç duhet të gjejnë zgjidhje shumë probleme të tjera. Pjesa  e rregullimit të ligjit të gjuhë shqipe që ti thonë gjuhë shqipe, ashtu siç është dhe siç ka lezet do të rregullohen në kohën kur ne do të marrim pushtetin. Tani pres nga ju që të respektoni ato ligje të cilët janë sjellë me këto këtu, të cilët e kanë pashtruar këtë gjuhë”, tha Sela.

Në akuzat e tij është përgjigjur deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti-Devaja.

“BDI-ja  është e vetëdijshme për rezistencën të cilën e ka komuniteti tjetër për sa i përket përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe prandaj përpiqemi, punojmë, insistojmë dhe angazhohemi që në mënyrë institucionale përmes dialogut të realizojmë kërkesat dhe nevojat e komunitetit shqiptarë për sa i përket përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe. Në instance të fundit opinion e di shumë mire se çdo avancim i përdorimit të gjuhës shqipe në fakt ka ndodhë dhe është meritë e qeverisë së BDI-së. Ne e kemi sjellë procesin deri këtu, unë jam shumë e bindur se këtë proces do e çojmë edhe më përpara” tha Mehmeti-Devaja.

Problemi me kanalin e Kuvendit gjatë kohë vazhdon të jetë çështje që ngrihet nga deputetët e PDSH-së duke kërkuar pauza njëorëshë në shenjë proteste pse nuk dëgjohet zëri i tyre original në këtë kanal por del i dubluar. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button