SHBSH kërkon nga Ali Ahmeti shkarkimin e Muzafer Bislimit

Përfaqësuesit e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë (SHBSH) kërkojnë nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti shkarkimin e Muzafer Bislimit nga detyra e Sekretarit shtetëror në Ministrinë e kulturës. Këtë Ahmeti duhet ta bëjë sepse sipas tyre, Bislimi në vend se të angazhohet për sigurimin e përqindjes së realtë për librat shqip, ai merret me ndarjen jo profesionale të mjeteve të kësaj Ministrie.

Ministria e kulturës i mënjanon botuesit e SBSH-së dhe u jep përkrahje botuesve jo ekzistues dhe piraterisë së disa “Botuesve” thonë nga kjo organizatë.

Ata shprehin shqetësimin e tyre se programi i Ministrisë përkatëse ka miratuar një program për veprimtari botuese, program i cili është krejtësisht jo transparent dhe jo parimor në drejtim të respektimit të kritereve të vendosura nga vetë Ministria e Kulturës.

“Për çdo vit ne reagojmë nga konkurset qe shpall ministria e kulturës sepse konsiderojmë se kjo bëhet në mënyrë jo të drejtë jo parimore dhe jo transparente. Përfundimisht një analizë e hollësishme, tregon se ministria e kulturës asnjëherë nuk i është përmbajtur disa rregullave normale dhe logjike. Ne kemi kundërshtuar vazhdimisht pse nuk financohen botuesit e mirëfilltë ata që botojnë, ata që i shohim në panairet e librit, por financohen botues që themelohen aty për aty, botues që askund nuk i kanë titujt e tyre”, tha Qamil Rufati, kryetari i SHBSH-së.

Ndër tjerat u potencuan probleme të shumta si diskriminimi që është bërë ku nga 390 libra të miratuar në kuadër të atij programi, vetëm 88 janë në gjuhën shqipe. Po ashtu përfaqësuesit e SHBSH-së thanë se 80% e aplikuesve nuk e kanë si veprimtari kryesore botimin e librave, dhe se nuk janë të kualifikuar për botim.

Shoqata e Botuesve Shqiptare po ashtu i parashtroi disa kërkesa të veta deri te Ministria përkatëse, që të ndalohet përkrahja financiare e aplikuesve të cilët nuk janë të kualifikuar për botim, pranimin e dy anëtarëve të SHBSH-së si vëzhgues në Komisionin për përzgjedhjen e titujve, dhe të zbardhen mjetet e ndara sipas përqindjes e jo titujt e miratuara. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button