Procesi i filtrimit, prokurorët do të vlerësohen duke ua kontrolluar 6 lëndë, gjykatësit 10 lëndë

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, prokurori shtetëror, Lubomir Joveski dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev sot e prezantuan planin për kontrollim të gjyqësorit, gjegjësisht pastrimin e tij, i cili do të fillojë nga janari i vitit 2021 dhe me të cilin autoritetet presin që të kthehet besueshmëria e qytetarëve te gjyqësori, njofton Portalb.mk.

“Ky proces, si për Qeverinë, ashtu edhe për Ministrinë është me rëndësi të veçantë dhe besoj se i njëjti do të kontribuojë në kthimin e besueshmërisë së qytetarëve në sistemin gjyqësor, i cili për momentin është në nivel shqetësues të ulët. Ne nuk duam në asnjë mënyrë që të bëjmë trysni ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë, por jemi të obliguar që të kujdesemi dhe me kthjelltësi ta ndjekim procesin me të cilin do të fitojmë sistem gjyqësor të reformuar, transparent, efikas, të lirë dhe pa trysni. Atë ua kemi borxh qytetarëve”, tha Mariçiq.

Filtrimi i Prokurorisë

Prokurori Lubomir Joveski sqaroi se në Rregulloren për vlerësimin e punës së prokurorëve publik janë përpunuar baza ligjore dhe se gjatë kontrollit të punës së prokurorëve për kritere do të vlerësohet profesionaliteti dhe kualiteti në vendime, mjetet juridike, përditësimi dhe efikasiteti në veprimin e prokurorit, paanshmëria dhe përgjegjshmëria…

“Por edhe në kuadër të gjykatave, vlerësimi i prokurorëve publik kryhet në katër vjet dhe ky cikël i ri i vlerësimit do të fillojë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Megjithatë, prokurorët do të vlerësohen në bazë të raporteve gjashtëmujore në të cilat do të shqyrtohen gjashtë lëndë, prej të cilëve tre do t’i zgjedh prokurori publik, derisa lëndët tjera do të zgjedhen sipas rastësisë”, theksoi Joveski.

Prokurori shtoi se është parashikuar edhe vlerësimi i udhëheqësve të prokurorive, por edhe se prokuroria edhe më tej do të veprojë dhe do t’i kontrollojë lëndët për të cilat ka ankesa që t’i shqyrtojë dyshimet në ankesë.

Procedurë disiplinore për përgjegjësi, parashikohet nëse gjatë këtyre kontrolleve konstatohet se prokurori ka vepruar në lëndët në mënyrë jo të përditësuar, jo të përgjegjshme dhe jo profesionale.

Filtrimi i Gjyqësorit

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev theksoi se për respektim dhe zbatim të parimit të pavarësisë dhe mëvetësisë së gjyqësorit është zgjedhja dhe konstatimi i përgjegjësisë së gjykatësve në rast të shkeljes disiplinore ose kryerje të funksionit në mënyrë joprofesionale dhe jo të përgjegjshme.

Ai informoi më 18 dhjetor është miratuar Metodologjia për vlerësimin e punës së gjykatësve në bazë të plotësimit të kritereve kualitative për punën e gjyqësorit dhe formulari për vlerësim dhe notim ndaj punës së tyre.

Vlerësimi i kualitetit të udhëheqjes së procedurës gjyqësore do të kryhet nëpërmjet kontrollit në 10 lëndë të gjykatësit të vlerësuar, prej të cilave 5 i zgjedh vetë ai, ndërkaq 5 të tjera zgjedhen në mënyrë të rastësishme nëpërmjet sistemit të automatizuar kompjuterik. Kontrollin e bëjnë komisionet e përbëra prej 5 anëtarëve të gjykatave të Apelit, gjegjësisht gjykatës më të lartë, a e informon Këshillin sipas mënyrës së rastësishme.

Gjatë vlerësimit të kryetarëve të gjykatave do të merret parasysh transparenca e raporteve, realizimi i programit për punë dhe Planit Aksional, zbatimi i Rregullores së Gjykatës, funksionimi i sistemit për menaxhim me lëndët gjyqësore, kualiteti i vendimeve kualitative në administratën gjyqësore dhe marrëdhëniet me publikun dhe transparenca.

Këshilli Gjyqësor miratoi Udhëzim për mënyrën e llogaritjes së orëve të punëve efektive dhe Programit për punë në Këshillin Gjyqësor për vitin 2021, në të cilën mes tjerash parashikohet edhe ndjekja e vazhdueshme e punës së gjykatave, projektimi për vendime të lira gjyqësore, analiza tremujore dhe raporte vjetore për punë të gjykatave, përforcim të autoritetit të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut.

Video nga konferenca e përbashkët

Ndryshe, reformat në gjyqësor gjithsesi janë ndër parimet kryesore të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit/zhgënjimit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve të dobëta dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet. Por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Për modelin e ri, profesoresha universitare, Besa Arifi, në një analizë të Portalb.mk, vlerësoi se i njëjti do të japë rezultatin e dëshiruar, por edhe nëse ky proces mbaron në mënyrën më të mirë të mundshme, vetë gjyqësori duhet ta kthejë besimin e qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button