Me violinën e 3.5 milionë dollarëve performoi në metro (video)

Një mëngjes të ftohtë janari njerëzit si zakonisht vraponin nëpër metronë e Washingtonit për të shkuar apo për tu kthyer nga puna, dhe vetëm ndonjëri prej tyre ktheu kokën dhe ia hodhi ndonjë para të imët njeriut që performonte në violinë, duke mos paramenduar fare se në violinë ekzekutonte një nga violinistët më të famshëm në botë, Joshua Bell. 

Në stacionin e metrosë Bell ekzekutoi për 45 minuta gjashtë kompozime të Bachut, ndërsa gjatë asaj kohe përskaj tij kaluan rreth 11 000 persona.  

Vetëm pas tre minutave, një njeri i moshës mesatare e vërejti, ngadalësoi pak hapin, për disa sekonda u ndal, kurse pastaj me hap të shpejtë vazhdoi rrugën. Një minutë më vonë, violinisti i famshëm fitoi dollarin e parë nga një grua, e cila ia hodhi monedhën në kutinë afër këmbëve të tij, por duke mos u ndalur për asnjë moment. 

Disa minuta më vonë, një njeri u mbështet për muri për të dëgjuar performancën e tij, por pastaj shikoi orën në dorë dhe u nis shpejt pasi me gjasë ishte vonuar në punë. Personi që i kushtoi më shumë vëmendje ishte një 3-vjeçar, të cilin nëna e tij me nguti e tërhiqte për dore, por fëmija megjithëkëtë ndal ta dëgjojë muzikën e violinës. Por, pas disa sekondave, nëna e tërhoqi më fuqishëm fëmijën për dore dhe ai u detyrua dhunshëm të largohet. 

Situata e tillë u përsërit nga disa prindër që atë mëngjes çonin fëmijët dhe gjithnjë skenari ishte i njëjtë. Fëmija ndalon si i udhëhequr nga magjia, por prindi e tërheqë me zor. 

Gjatë 45 minutave, sa zgjati ekzekutimi i tij në violinë, vetëm gjashtë njerëz vërtetë e dëgjuan, kurse 20 të tjerë edhe e “shpërblyen” me para të imëta, kështu që në kutinë e tij u grumbulluan 32 dollarë.  

Askush nuk dha duartrokitje, askush nuk e njohu. Askush nuk e dinte që bëhet fjalë për Joshua Bellin, dhe se ai performonte në violinën e vlefshme 3.5 milionë dollarë.  

Dy ditë para se të ekzekutonte në metronë e Washingtonit, Bell e kishte mbushur teatrin  e Bostonit, ku çmimi mesatar i biletës ishte 100 dollarë. 

Performancën e tij të fshehtë e organizoi si eksperiment gazeta “Washington post” për të eksploruar perceptimin shoqëror, shijet dhe prioritetet e njerëzve, duke u fokusuar në çështjen se a e hetojmë bukurinë rreth nesh, a dimë ta vlerësojmë dhe a dimë të njohim talentin në një kontekst të papritur

Lajme të ngjashme

Back to top button