RMV-ja do të marrë vaksina Kovid nga 5 përqindëshi që Austria do t’i ndajë për Ballkanin Perëndimor
Maqedonia e Veriut do të marrë vaksina kundër kovid-19 nga Austria, e cila do të japë 5% të vaksinave të veta për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha ambasadori austriak në vend Georg Voutsas, njofton Portalb.mk.
“Në vitin 2021 shohim optimizëm. Austria jo vetëm që e mbështet Maqedoninë e Veriut me nevojat urgjente për pajisje mjekësore, por edhe do t’i vërë në dispozicion gjithashtu 5% të dozave të veta të vaksinave Kovid-19 për Ballkanin Perëndimor. Bashkimi Evropian nuk do të ishte i plotë pa integrimin e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht për këtë arsye, Austria, në kuadër të procesit të integrimit, angazhohet maksimalisht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur në vitin 2021”, tha Voutsas, vendi i të cilit mbështeste kornizën negociuese për bisedimet e pranimit të Maqedonisë në BE.
Më 22 dhjetor, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në Sofje nënshkroi një letër qëllimesh me ministrin bullgar të Shëndetësisë Kostadin Angellov, pasi Qeveria e Bullgarisë vendosi që nga çdo sasi e vaksinave kundër kovid-19 që arrin në Bullgari, një sasi të caktuar t’ia dhurojë Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut ka paguar paradhënie për vaksinën kundër Kovid 19, me çka është siguruar garanci bankare se do të paguhet shuma e plotë për blerjen e 833,000 vaksinave, për rreth 400,000 qytetarë. Përveç përmes mekanizmit Kovaks, është vendosur kontakti i drejtpërdrejtë me Pfizer dhe AstraZeneka.
Ndryshe marrja ose jo e vaksinës kundër Kovid-19 do të jetë në dorë të qytetarëve të vendosin, gjegjësisht, vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. Ndërsa të parët që do të vaksinohen do të jenë punëtorët shëndetësorë, të sëmurët kronik dhe personat më të moshuar se 65-vjeç.
- LEXO: Bullgaria një pjesë të vaksinave të saj anti-kovid, do t’ia dhurojë Maqedonisë së Veriut
- LEXO: Greqia ka konfirmuar se do të ndajë një pjesë nga dërgesa e parë e vaksinave Kovid për RMV-në
- LEXO: RMV ka paguar paradhënie për 833.000 dozat e vaksinës së koronës, 800.000 të tjera do të sigurohen nga BE