RMV ka paguar paradhënie për 833.000 dozat e vaksinës së koronës, 800.000 të tjera do të sigurohen nga BE

Qeveria në seancën e djeshme, përcaktoi garancinë bankare për të konfirmuar se e gjithë shuma për blerjen e vaksinës kundër KOVID-19 do të paguhet dhe se e ka paguar paradhënien për vaksinën Kovid, tha kryeministri Zoran Zaev mbrëmë në TV Telma. Vaksinat e para përmes mekanizmit Kovaks do të mbërrijnë në muajt e parë të vitit të ardhshëm, njoftoi Zaev. Përpjekjet për kontakt të drejtpërdrejtë me dy gjigandët farmaceutikë – prodhuesit e vaksinës, ende nuk kanë rezultate, njofton Portalb.mk.

“Sa i përket sigurimit të vaksinave së pari do të doja të ritheksoja se 833,000 vaksina tashmë janë siguruar për një popullatë prej rreth 400,000 qytetarësh për vaksinim dhe rivaksinim në kuadër të mekanizmit Kovaks. Sipas këtij sistemi  do t’i marrim vaksinat sipas planit të shpërndarjes, i cili do të përcaktohet nga Kovaks, për të cilin së shpejti do të marrim informacion prej tyre. Vaksinat priten në muajt e parë të vitit 2021. Përveç këtij mekanizmi, ne kemi filluar negociatat, gjegjësisht kemi paraqitur kërkesa zyrtare për sigurimin e vaksinave përmes dy mekanizmave të tjerë. E para është në bisedime të drejtpërdrejta dhe sigurime të drejtpërdrejta nga kompanitë që prodhojnë vaksinat. U është lëshuar nga një kërkesë zyrtare për ofertë të dy kompanive, Pfizer dhe Astra Zeneka dhe shpresojmë që së shpejti të kemi një ofertë zyrtare”, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se është siguruar edhe një mekanizëm i tretë – përmes Bashkimit Evropian, gjegjësisht përmes Greqisë, për 800,000 vaksina shtesë përmes BE-së.

“Vaksinimi për qytetarët do të kryhet në kapacitetet ekzistuese shëndetësore, pikat e vaksinimit dhe spitalet. Gjatë javës së ardhshme, do të fillojë procesi i planifikimit dhe përgatitjes së trajnimit të vaksinimit në përputhje me specifikat e vaksinave për Kovid 19. Të gjithë profesionistët shëndetësorë që do të jenë të ngarkuar me aplikimin e vaksinës duhet të trajnohen me mbështetjen e OBSH-së”, tha Kryeministri Zaev.

Paradhënia kushton 1.3 milion dolarë amerikan, konfirmoi zëdhënësi i qeverisë për Portalb.mk.

Ndryshe, marrja ose jo e vaksinës kundër Kovid-19 do të jetë në dorë të qytetarëve të vendosin, gjegjësisht, vaksina nuk do të jetë e detyrueshme. Ndërsa të parët që do të vaksinohen do të jenë punëtorët shëndetësorë, të sëmurët kronik dhe personat më të moshuar se 65-vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button