Opinioni publik për zgjerimin në të dy anët e medaljes

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Kur strategjia e re e zgjerimit u miratua vitin e kaluar, një nga pengesat ishte se opinioni publik i BE-së nuk ishte i gatshëm për zgjerim. Mbështetja, përkatësisht mungesa e mbështetjes nga qytetarët, sigurisht që është një faktor i rëndësishëm në marrjen e vendimeve politike, sepse politikanët marrin parasysh mendimin e votuesve të tyre. Sidoqoftë, pyetja e madhe është se sa është tema e zgjerimit në radarin e votuesve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në çfarë mase vetë elitat politikë ndikojnë në formimin e opinionit publik.

Do të shqyrtojmë disa burime të rëndësishme të opinionit publik, nga të dy anët e medaljes – njëra nga BE-ja dhe tjetra nga vendet kandidate. Sipas Eurobarometrit më të fundit (botimi 93) nga e vera e vitit 2020, 44% e të anketuarve të BE-së janë pro zgjerimit të mëtejshëm të BE, ndërsa 45% janë kundër. Krahasuar me Eurobarometrin e mëparshëm 92 (nga vjeshta e vitit 2019), mbështetja mbeti e njëjtë, ndërsa kundërshtarët u rritën për 3%. Nëse krahasojmë këto të dhëna me ato të vjeshtës 2014, do të shohim se mbështetja për zgjerimin u rrit me 5 pikë përqindje (nga 39%), dhe kundërshtarët u ulën me 3% (nga 48%). Prandaj, argumenti se mbështetja është në rënie nuk qëndron. Megjithatë, ajo që është konstante është se mbështetja për zgjerimin është më e larta në vendet e reja anëtare dhe më e ulëta në shtetet themeluese. Një korrelacion domethënës është se qytetarët e vendeve që kontribuojnë më shumë në buxhetin e Unionit janë më pak të prirur të zgjerohen sesa ata që marrin më shumë sesa japin në buxhet.

Le të shohim anën tjetër të medaljes: opinionin publik në vendet kandidate. Sipas Eurobarometrit më të fundit 93 (e njëjta pyetje si për vendet anëtare: “a jeni në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE me vendet e reja anëtare në të ardhmen”), mbështetja për zgjerimin është më e ulta në Turqi (41%), e ndjekur nga Serbia (52%), e Mal të Zi (61%), pastaj Maqedonia (78%), dhe jashtëzakonisht e lartë në Shqipëri (93%). Rënia në Malin e Zi është e madhe krahasuar me vitin e kaluar – mbështetja është ulur madje për 13%, që mbase është për shkak të ritmit ndjeshëm të reduktuar të negociatave.

Le të shohim qëndrimet e të anketuarve nga Maqedonia. Sipas një studimi nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, që e analizon opinionin publik në vendin tonë në periudhën 2014-2019, përqindja e qytetarëve që mbështesin anëtarësimin në BE ra me 15% (65% e qytetarëve në vitin 2019 do të votoni “për” në referendumin për anëtarësim në BE, në krahasim me 80% në 2014). Përqindja e atyre që e konsiderojnë anëtarësimin në BE të rëndësishëm ose deri diku të rëndësishëm është zvogëluar ndjeshëm (36% dhe 35% kundrejt 48% dhe 36%), ndërsa përqindja e atyre që e konsiderojnë atë të parëndësishme është rritur. Në këtë rast dallimet midis maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë janë të mëdha (për 20% të maqedonasve nuk ka aspak rëndësi, përkundrejt 8% të shqiptarëve). Është interesant që përqindja e atyre që mendojnë se mungesa e reformave të brendshme e pengon rrugën tonë drejt BE-së është rritur (nga 29% në 46%), është rritur edhe për ata që besojnë se arsyeja është mosgatishmëria e BE-së (nga 7% në 29 %), por është ulur numri i atyre të cilët mendojnë se vendet fqinje po na bllokojnë rrugën (nga 59% në 22%). Në lidhje me këtë çështje, studiuesit kanë vërejtur një konvergjencë më të madhe të pikëpamjeve midis maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve etnikë. Sidoqoftë, këto janë rezultatet deri në fund të vitit 2019. Ka shumë të ngjarë që ato të ndryshojnë së shpejti, nën ndikimin e vetos bullgare dhe dështimit të vendeve të tjera anëtare të BE për ta parandaluar atë.

Ajo që është më befasuese është optimizmi i të anketuarve. Sipas sondazhit të M-Prospect për Qendrën Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Telma nga prilli 2020, përqindja më e madhe e të anketuarve besojnë se vendi ynë do të jetë i pari në Ballkanin Perëndimor që do të anëtarësohet në BE (34.8%), dhe ata janë më të bindur se do të ndodhë brenda 5 vitesh (34.8%) ose brenda 10 vitesh (23.6%). Optimizmi është rritur ndjeshëm në krahasim me 2019, kur 24% mendonin se nuk do të bëheshim kurrë anëtarë të BE, krahasuar me 10% në pranverën e vitit 2020. Ndjeshmëria e opinionit tonë publik ndaj sinjaleve dhe mesazheve të ndryshme që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe interpretimi i tyre në skenën e brendshme politike është e dukshme. Kjo tregon që këto hulumtime duhet të jenë një pikënisje për analiza dhe gjetje më të thella cilësore, të cilat, nga ana tjetër, duhet të kontribuojnë në ndërtimin e një strategjie më të qëndrueshme komunikimi për procesin e integrimit evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button