Shekerinska në takim me atashetë e mbrojtjes: Përskaj koronavirusit, 2020-ta ishte vit NATO-s për ne

Megjithëse viti 2020 ishte viti i korona virusit, për ne dhe vendin tonë ishte gjithashtu viti i NATO-s, deklaroi ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska gjatë video-takimit të rregullt vjetor me atashetë e mbrojtjes të akredituar në vendin tonë, njofton Portalb.mk.

“Përmbushëm angazhimin tonë disa dekadësh të gjatë për t’u bashkuar me Aleancën dhe përbën kënaqësi të madhe që takimin tonë të parë me atashetë e zhvillojmë si anëtare e 30-të i NATO-s,” tha ministrja Shekerinska.

Shekerinska theksoi se anëtarësimi i vendit tonë në NATO do të thotë investim në të ardhmen dhe në sigurinë e qytetarëve dhe nder për Armatën.

“Ushtria jonë nuk është më vetëm Armata e Maqedonisë së Veriut por edhe e NATO-s. Me hyrjen në NATO, ne pranuam standardet dhe kriteret për Armatën dhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes, me të cilin mundësuam që viti i kaluar 2020 të jetë vit i pajisjes dhe modernizimit të Armatës dhe përmirësimit të kushteve për funksionim”, nënvizoi Shekerinska.

Duke iu referuar kontributit në misionet ndërkombëtare, ministrja theksoi se mbetemi në mision në Afganistan dhe se po bëhen përgatitjet për të dërguar një ekip mjekësor në bashkëpunim me Mbretërinë e Norvegjisë, i cili do të vendoset në Kabul nga pranvera e ardhshme deri në shtator.

“Ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë rajonale duke dërguar 44 ushtarë dhe oficerë tanë në misionin e KFOR-it në Kosovë. Këtë mision planifikojmë ta rrisim në 180 trupa. Të pranishëm jemi edhe në Republikën e Afrikës Qendrore me dy oficerë, ndërsa do të vazhdojmë të kontribuojmë në misionet ALTHEA dhe UNIFIL,” tha ministrja Shekerinska.

Në takimin, në të cilin i pranishëm ishte edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Vasko Gjurçinoski, u bë një prezantim mbi pjesëmarrjen e Armatës në trajtimin e korona virusit, pjesëmarrjen e ushtrisë sonë në stërvitje ushtarake ndërkombëtare, arritjet në drejtim të perspektivave gjinore, përmirësimin e kapacitetit ushtarak të në poligonin ushtarak Krivollak, transformimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe mundësitë e Qendrës sonë Rajonale për Marrëdhëniet me Publikun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button