Banka Botërore: Ekonomia e Maqedonisë këtë vit do të rritet vetëm 1 përqind

Në raportin më të ri për perspektivat e ekonomisë botërore, Banka Botërore parasheh se ekonomia e Maqedonisë këtë vit do të rritet vetëm 1 përqind. Rritje më e madhe e ekonomisë së Maqedonisë pritet vitin e ardhshëm, kur parashihet të ketë rritje prej 2,5 përqind.

Kjo është prognoza më pesimiste për rritjen e ekonomisë vendore për vitin 2013. Banka botërore, gjatë muajit të kaluar e revidoi projeksionin prej 2 përqind në 1 përqind, si rezultat i rreziqeve të shtuara për zvogëlimin e eksportit për shkak të thellimit të krizës në Evropë, si dhe për shkak të shtyrjes së disa investimeve të huaja që janë paralajmëruar.

Nga rajoni, Banka Botërore parasheh që më së tepërmi të rritet ekonomia e Kosovës me 3,3 përqind. Ekonomia serbe do të shënojë rritje prej 2 përqind, ndërsa ajo shqiptare për 1,6 përqind, ekonomia e Malit të Zi do të shënojë rritje prej 0,8 përqind dhe ajo e Bosnje dhe Hercegovinës rritje prej 0,5 përqind.

Banka konstaton se mëkëmbja e ngadalshme e vendeve të zhvilluara është rreziku kryesor për ekonominë globale, ndërsa sipas prognozave të saj, prodhimi i brendshëm bruto (PBB) global do të rritet për 2,4 përqind gjatë vitit 2013, që është pothuajse në nivelin e vitit të kaluar, kur ishte 2,3 përqind.

Banka botërore e zvogëloi prognozën edhe për vendet në zhvillim. Rritja e pritur e PBB-së për këtë grup të vendeve është zvogëluar prej 5,9 përqind në 5,3 përqind. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button