Shqipëri, nuk iu bind urdhrit, polici e vrau me armë 25-vjeçarin në Tiranë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së martës në zonën e Laprakës në Tiranë, ku 25-vjeçari Klodjan Rasha është qëlluar për vdekje nga një polic, shkruan Euronews Albania.

Uniformat blu sqarojnë se oficeri i “Shqiponjave” me iniciale N.H qëlloi me armë zjarri në drejtim të 25-vjeçarit, pasi ky i fundit nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Sipas policisë i riu u largua me vrap, ndërkohë që polici i drejtoi edhe armën tip pistoletë. Mbetet e paqartë dinamika e vërtetë e ngjarjes.

Ligji (72/2014, për Përdorimin e armëve të zjarrit, Neni 9) parashikon situatat në të cilat një punonjës i policisë mundet “të paralajmërojë përdorimin e armës”. Në të thuhet se fillimisht polici duhet të identifikohet si i tillë, më pas të urdhërojë me zë “Ndal” e më tej “Ndal se do të të qëlloj” si paralajmërim.

“Në rrethana objektivisht të pamundura, të ngutshme, mund të mos bëhet paralajmërimi në rast se një veprim i tillë rrezikon subjektet e këtij ligji, ose personat e tjerë nga një rrezik i çastit për jetën. Në këtë rast qëllohet pa paralajmërim, duke synuar në pjesët e poshtme të trupit,” – thuhet në ligj.

Ndjekja sipas burimeve ka nisur pranë Don Boskos përgjatë rrugës “Dritan Hoxha” deri afër universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Në këto momente efektivi ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të të riut, duke e lënë të plagosur. Njëzetepesëvjeçari humbi jetën në spital.

Ndërkohë punonjësi i policisë me iniciale N.H është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për këtë ngjarje të rëndë ka folur para mediave xhaxhai i viktimës, i cili u shpreh 25-vjeçari nuk ka qenë i armatosur, por në duar ka pasur vetëm dy hurma.

Xhaxhai tregoi më tej se nipi i tij ka pasur probleme nervore.

Theksojmë që viktima ka qenë i dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button