RMV, konfliktet e interesit shpesh ndodhin për shkak të injorancës, më të përfshirë anëtarët e partive

Konflikt interesi është një situatë në të cilën një person ose një organizatë është e përfshirë në interesa të shumëfishta, financiare ose ndryshe, dhe shërbimi i një interesi mund të përfshijë të punojë kundër një tjetri. Konflikti i interesave nuk konsiderohet korrupsion, por, nëse interesat private dhe detyrat publike të zyrtarëve keqmenaxhohen, ka shumë të ngjarë të ndodhë korrupsioni. Me fjalë tjera, konflikti i interesit mund t’i paraprijë korrupsionit, apo të jetë një “ambient” i përshtatshëm që mund të çojë në korrupsione madje edhe të nivele të larta, me këto pakë fjalë mund të shpjegohet se çfarë është konflikti i interesit, të cilin në Maqedoninë e Veriut e mbikëqyr dhe merr vendime për funksionarë publik, Komisioni për Parandalimin e korrupsionit, shkruan Portalb.mk.

Palët që kanë kërkuar mendim, për shkak se kanë pasur paqartësi nëse gjatë emërimit në ndonjë funksion tjetër mund të ketë konflikt interesi, për një periudhë 15 ditore duhet të informojnë se si kanë vepruar. Nëse nuk veprojnë në përputhje me mendimin e dhënë, atëherë pasojnë procedura të tjera përkatëse. Kërkesat për mendim drejtuar Komisionit Shtetëror për Luftimin e Korrupsionit, nuk janë vetëm formale, por në 99 përqind të rasteve veprohet sipas mendimit të dhënë, thonë nga Komisioni Antikorrupsion.

Anëtari i Komisionit për Luftimin e Korrupsionit, Shemshi Sallai, për Portalb.mk, thotë se përveç kërkesave që vijnë me vetë-iniciativë, ky komision shqyrton edhe raste të plasuara nga mediat, të denoncuar nga qytetarë të ndryshëm apo të detektuara nga vetë Komisioni.

Sipas ligjit, KShPK është i detyruar të marrë vendim për ekzistimin ose mosekzistimin e konfliktit të interesave brenda 30 ditëve pas deklaratës së subjekteve, përkatësisht pas verifikimit të pohimeve.

“Të gjitha kërkesat për mendim, në të cilat kemi konstatuar se një individ i caktuar është në konflikt interesi, ne gjithmonë kemi kërkuar që të dalë nga konflikti i interesit për një periudhë 15 ditore dhe të informojnë për të njëjtën, në qoftë se nuk veprohet në përputhje me këtë,  merren masa të mëtutjeshme. Por në fakt, nga të gjitha lëndët që i kemi pasur mund të ketë një ose dy raste që nuk kanë vepruar në bazë të rekomandimeve që japim ne, gjegjësisht, të dalin nga konflikti i interesit”, deklaron Sallai.

Shemshi Sallai, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit
Shemshi Sallai, anëtar i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit

Sipas tij gjatë periudhës së viteve 2019-2020, çështja e konfliktit të interesit është marrë shumë seriozisht dhe njerëzit veprojnë sipas rekomandimeve të tyre.

I pyetur se në cilat sfera ka më shumë konflikt interesi, Sallai nuk specifikoi ndonjë fushë, por tha se janë nga çdo sferë e mundshme, ndërsa ajo çka është e rëndësishme, thotë ai, konfliktet e interesit në të shumtën e rasteve, nuk ndodhin në pozicione ku mund të bie në sy, përkatësisht ndodhin në pozicione që nuk janë shumë të njohura për opinionin e gjerë.

Për sa i  përket çështjes, nëse konflikti i interesit ndodh më tepër në rastet kur personat janë publik për opinionin apo individë të thjeshtë, Sallai deklaron se, ajo që dihet me siguri është se personat e përfshirë në konflikt interesi zakonisht i përkasin apo janë anëtarë të ndonjë partie politike dhe emërimet në funksionet që mund të jenë lehtë të detektueshme si konflikt interesi ndodhin shumë rrallë.

 “Varësisht nga pozicionet që janë, ka prej atyre që janë publik, janë të njohur për publikun, por edhe nga individë që nuk janë persona publik. Por gjithsesi që janë persona që u takojnë ndonjë partie politike, që i emërojnë nëpër ato funksione, sepse edhe pse bëhet shpallje publike për emërim në ndonjë pozicion përkatës, ato përsëri jashtë asaj emërohen ose si ushtrues detyre”, thotë Sallai.

A ndodhin konfliktet e interesit me vetëdije apo kjo ndodh nga injoranca?!

Lidhur me çështjen nëse konfliktet e interesit ndodhin për shkak të injorancës apo me vetëdije të plotë, Sallai shprehet se në të shumtën e rasteve kjo ndodh nga injoranca, prandaj edhe personat e përgjegjshëm, nëse dyshojnë për këtë pjesë kërkojnë mendimin e Antikorrupsionit dhe pastaj veprojnë sipas atij mendimi.

“Në bazë të të gjitha lëndëve që i kemi pasur, nëse iu bëjmë një analizë të përgjithshme të gjithave, në të shumtën e rasteve janë pa vetëdije, për atë them se veprojnë në bazë të rekomandimeve  që ua japim ne që të dalin prej konfliktit të interesit, por ka edhe raste kur me vetëdije të plotë që mund të ketë konflikt interesi përsëri  emërohen në pozicione të caktuara. Dikush kërkon mendim përpara emërimit, të di nëse ka konflikt ose nuk ka, ashtu që nuk veprohet kundër rekomandimit tonë. Ndonjë rast i rrallë është kur dikush që thirret në ndonjë ligj, që gjoja i takon të jetë në atë funksion”.

Thirrja në ndonjë ligj tjetër ndodh në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, ku në neni 6 paragrafi 2, thuhet se askush nuk mund të thirret në zbatimin e një ligji ose rregulloreje tjetër me të cilin, do të kufizojë ose përjashtojë publikun për të fshehur korrupsionin ose konfliktin e interesit.

Gjithashtu, nuk mund të amnistohen thjeshtë me faktin se nuk e kanë ditur nëse ka ose jo konflikt interesi, kur ligji obligon që nëse ka dyshime patjetër të kërkohet mendim nga Komisioni për Antikorrupsion.

Neni 72, paragrafi 3 thotë: “Në rast dyshimi për konflikt interesash, zyrtari është i obliguar të kërkojë një mendim nga Komisioni Shtetëror”.

Gjatë periudhës prej muajit shkurt deri në tetor të vitit 2020, Komisioni për Luftimin e Korrupsionit ka shqyrtuar 19 kërkesa për mendim. Në 5 prej tyre Komisioni ka konstatuar se ekziston konflikt potencial i interesit, ndaj ka kërkuar që të tërheqin konfliktin, kurse në 10 prej tyre ka konstatuar se nuk ekziston konflikt interesi. Në 1 rast, është kërkuar mendim nëse ka konflikt interesi për një të punësuar në Arkivin Shtetëror të RMV-së, ndërsa Komisioni ka kërkuar informacione shtesë nga ky institucion. Në një rast tjetër, Komisioni nuk ka dhënë mendim të prerë nëse ka ose jo konflikt interesi, por ka sqaruar situata të mundshme kur mund të ketë konflikt interesi, në rastin kur një udhëheqës i një sekori në administratë komunale, vepron në lëndë të cilat vlerësohen nga ndonjë person i afërt. Ndërsa në një rast tjetër, Komisioni i ka kërkuar një drejtori të një shkolle që të ndërpresë menjëherë procedurën që e kishte filluar për punësimin e dy familjarëve të tij, përpara se të përfshihet në konflikt interesi.

Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit
Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit

Si e shpjegon ligji konfliktin e interesit?

Ndërkohë, sipas Ligjit të parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, neni 2 pika, paragrafi 3, konflikti i interesit përkufizohet si situatë në të cilën personi zyrtar ka një interes privat që ndikon ose mund të ndikojë në kryerjen e paanshme të autorizimeve të tij publike ose detyrave zyrtare.

Konfliktet e interesit mund të jenë në disa forma:

  • Konflikt i mundshëm i interesit është gjendja në të cilën interesat private të zyrtarit mund të shkaktojnë në të ardhmen shfaqjen e konfliktit te interesit ose në dukje të interesit, nëse zyrtari do të përfshihej në detyra dhe përgjegjësi të caktuara.
  • Konflikti në dukje (i perceptuar) i interesit është gjendja në të cilën interesat private të zyrtarit duken në pamje ose formë sikur kanë ndikuar, ndikojnë ose mund të ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave. Por, në fakt ndikimi nuk ka ndodhur, nuk ndodh ose nuk ka mundësi të ndodhë.
  • Konflikti faktik i interesit është gjendja në të cilën interesat private të zyrtarit ndikojnë, kanë ndikuar ose mund të ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave apo përgjegjësive të tij zyrtare.
  • Konflikt interesi ‘’i vazhdueshëm’’ është atëherë kur konflikti i interesit shfaqet në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë të shpeshtë në të ardhmen.
  • Konflikt interesi ‘’rast për rast’’ është gjendja me konflikt interesi në njërën nga tri llojet: faktik, i mundshëm ,apo në dukje, që shfaqet ose lidhet me një vendimmarrje të veçantë.

Çfarë parashikon Ligji për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit nëse nuk zbatohen rekomandimet e Antikorrupsionit?

Sipas ligjit në fjalë, nëse personi zyrtar brenda 15 ditëve nuk paraqet dëshmi ose informacionet e kërkuara nga KShPK-ja për gjendjen pronësore, apo në këtë rast për konflinktin e interesit, neni 111 i këtij ligji parashikon, “Gjobë në shumë prej 200 deri 400 euro në kundërvlerë denari do t’i shqiptohet një zyrtari, i cili, pas kërkesës së Komisionit Shtetëror, kur vepron në një rast që përfshin atë person, nuk do të paraqesë listë anketuese për gjendjen pronësore dhe deklaratë interesi“.

  • Sipas nenit 107 parashikohet gjobë në shumë prej 500 euro në kundërvlerë denari për zyrtarë të ndonjë ndërmarrje publike ose person tjetër juridik që ka kapital shtetëror në dispozicion nëse: merr pjesë ose vendos në procedurën e përzgjedhjes, emërimit ose punësimit ose është i përfshirë si anëtar i organit që zhvillon atë procedurë dhe nuk do të informojë udhëheqësin e institucionit ku ushtron autoritetin publik për të gjitha procedurat që mund të shkaktojnë konflikt interesi.
  • Për forma të ndryshme të konfliktit të interesit direkt apo të tërthortë ekzistojnë edhe gjoba të tjera, të cilat sillen nga 200 deri në 1,000 euro.

Sipas Ligjit të parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesit, neni 4, paragrafi 3 personi zyrtar në kryerjen e funksionit të tij është i detyruar t’i kushtojë vëmendje konfliktit të mundshëm të interesave dhe në kryerjen e autorizimeve dhe detyrimeve publike nuk duhet të udhëhiqet nga interesat personale, familjare, fetare, partiake dhe etnike, as nga presionet dhe premtimet nga udhëheqës ose ndonjë person tjetër.

Aktet juridike, thuhet në ligj, që janë rezultat i korrupsionit ose konfliktit të interesave ose janë miratuar, gjegjësisht janë sjellë për shkak të korrupsionit, përkatësisht në gjendje të konfliktit të interesave janë të pavlefshme.

Komisioni Evropain në raportin e 6 tetorit të këtij viti, kërkoi zbatim më të fuqishëm të sistemeve rregullatore dhe institucionale mbi integritetin dhe konfliktin e interesit, të vendosura për të identifikuar dhe adresuar korrupsionin, bashkëpunimin dhe praktikat mashtruese. Numri i raporteve që lidhen me integritetin, thuhet në vlerësimin e KE-së, është ende shumë i ulët dhe se mungojnë hetimet dhe ndëshkimet e duhura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button