Bashkëpunimi i Antikorrupsionit me organet tjera për luftim të korrupsionit në RVM ka qenë i kufizuar, duhet proaktivitet më i lartë

BE-ja kërkon bashkëpunim midis organeve të prokurimit publik, harmonizim të Ligjit të informatorëve, përmirësim të transparencës së institucioneve pulike dhe plotësimin e tyre me mekanizëm efektiv dhe me kohë të kontrollit për prokurimin publik. Antikorrupsionit i kërkohet të vazhdojë edhe më tej trajtimin e rasteve të nepotizmit, miqësisë dhe ndikimit politik në procesin punësimit në sektorin publik, shkruan Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit është një ndër institucionet kyçe për luftimin e korrupsionit. Por, kjo nuk do të thotë se është institucioni i vetëm që duhet ta bartë këtë luftë mbi ‘supet e veta’. Që lufta të jetë e suksesshme, është i domosdoshëm bashkëpunimi me organet tjera të prokurimit publik. Këta të fundit, duhet t’i marrin për bazë gjetjet dhe akuzat e Komisionit Antikorrupsion pas çka duhet të fillojnë hetime. Edhe pse ky komision ka filluar të japë sinjalet e para të proaktivitetit të tij, sërish nuk mund të punojë i vetëm, pa qenë i pavarur dhe aq më tepër nëse nuk i referohen institucionet tjera të drejtësisë. Këto në fakt janë edhe vërejtjet dhe kërkesat e Komisionit Evropian të cilat i adresoi muajin e kaluar në raportin e tij për Maqedoninë e Veriut. Në të tekstualisht shprehen se “korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese”. Por çfarë planifikon Komisioni për Antikorrupsion në të ardhmen, do t’i marrë parasysh këto vërejtje? Në fakt ky komision ndër të tjera, si dokumente bazë për planifikimin e strategjisë së saj katër vjeçare ka marrë edhe raportet e progresit të BE-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut ka një farë niveli të përgatitjes / është e përgatitur mesatarisht. Progres është bërë përmes konsolidimit të rekordeve të tij në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka qenë veçanërisht pro-aktiv në parandalimin e korrupsionit dhe hapi një numër të lartë çështjesh, përfshirë ato që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë nga i gjithë spektri politik, në përputhje me rekomandimin e vitit të kaluar”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Kjo nënkupton se në një farë forme vendi apo institucionet në këtë fushë, sadopak i kanë ndjekur rekomandimet e raportit paraprak. Por kjo nuk do të thotë se, kaq ishte. Menjëherë pas këtyre fjalëve kaq inkurajuese, vihet në dukje një shqetësim shumë i madh i BE-së, ai i përhapjes së korrupsionit në shumë fusha.

“Korrupsioni është përhapur në shumë fusha dhe mbetet një çështje shqetësuese”, qëndron në raport, duke sqaruar më tej se duhet të sigurohet një qasje më proaktive nga të gjithë aktorët e përfshirë në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Komisioni Evropjan
Komisioni Evropian

Komisioni Evropian ka vlerësuar faktin që Antikorrupsioni ka trajtuar rastet e nepotizmit, miqësisë dhe ndikimit politik në procesin punësimit në sektorin publik, por se organet tjera duhet të sigurojnë ndjekjen e duhur të raporteve dhe rekomandimeve të Komisionit për Antikorrupsion.

KE-ja rekomandon që institucionet të:

  • demonstrojnë vullnet politik për të luftuar korrupsionin duke mbështetur organet përkatëse me burime të mëtejshme financiare dhe njerëzore dhe duke siguruar udhëzime të qarta të politikave për të gjitha institucionet shtetërore se si të trajtohet korrupsioni në përputhje me rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Raporti vlerëson punën e Komisionit gjatë vitit 2019, gjatë të cilit ky institucion ka pranuar 7275 deklarata të pasurive, hapjen e  hetimeve mbi akuzat për nepotizëm në administratën publike në 82 raste, mbylljen e 40 çështjeve, pasi nuk u përcaktua konflikt interesi ose sepse u hoq konflikti i interesit, dy raste çështjet u transferuan në Prokurorinë Publike, 16 raste ku institucioneve kompetente u kërkua të veprojnë në përputhje me rekomandimet e Komisionit Shtetëror dhe në 11 raste procedura është ende në vazhdim.

“Për shkak të disa kërkesave ligjore dhe afateve (p.sh. për të marrë informacion nga organe të tjera), jo të gjitha çështjet mund të zgjidheshin. Për më tepër, Komisioni Shtetëror mori kërkesa për mendime nga vetë zyrtarët ose institucionet nëse ekziston apo jo një konflikt i mundshëm interesi. Ka 213 kërkesa ende në pritje ndërsa 84 janë të mbyllura. Në vitin 2019, departamenti për hetime të brendshme penale dhe standarde profesionale ngriti akuza kundër gjashtë zyrtarëve të zbatimit të ligjit për akuza të korrupsionit. Të gjithë janë nën hetim”, thuhet në vlerësimin e punës së këtij komisioni për vitin 2019.

GRECO
GRECO

Në raport nuk harrohet pa u përmendur edhe raporti i viti 2018 të Grupit të shteteve të KE-së kundër Korrupsionit (GRECO), ku  përmenden konkluzat e të njejtit. Rekomandimet e GRECO-s, të cilat u zbatuan plotësisht kishin të bënin kryesisht me gjyqësorin dhe ndryshimet ligjore të miratuara në Ligjin për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Gjykatat, ndërsa ato që nuk u zbatuan kishin të bënin kryesisht me parandalimin e konfliktit të interesit, kontaktet me lobistët dhe sanksionet për sjellje të pahijshme.

“Ekzistojnë disa kode etike në institucione të ndryshme shtetërore. Përpjekjet vazhdojnë të përmirësojnë transparencën e institucioneve publike. Sidoqoftë, ato duhet të plotësohen nga një mekanizëm efektiv dhe me kohë i kontrollit për prokurimin publik, koncesionet, partneritetet publiko-privat dhe ekzekutimin e kontratave publike”, qëndron në raport

BE-ja kërkon që policia gjyqësore të demonstrojë aftësinë e saj në rritjen e hetimeve, si dhe të përmirësojë një qasje gjithëpërfshirëse strategjike për të luftuar korrupsionin. Kërkohet me theks të veçantë që Prokuroria Publike të demonstrojë aftësinë e saj për të qenë proaktive në ndjekjen e çështjeve të referuara nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Zyra e Auditimit të Shtetit dhe institucione të tjera.

Nga ajo si dhe çfarë thuhet, raporti me një gjuhë të ngjeshur, por të kuptueshme, më shumë se se Komisionit për Antikorrupsion, iu kërkon institucioneve të tjera ta marrin seriozisht punën e saj.

Komisioni për Antikorrupsion i kërkohet të kryejë inspektime mbi financimin e partive duke i rekomanduar që mbi këtë çështje të përdor ligjin për qasje të lirë në informacionet me karakter publik për të marrë informacion mbi financimin publik të partive politike.

Ligji mbi Mbrojtjen e Informatorëve kërkohet që të harmonizohet edhe më tej, pasi kjo do t’ju mundësonte mbrojtje atyre që denoncojnë krimin dhe korrupsionin, çështje shumë e rëndësishme për të nxitur nxjerrjen në sipërfaqe të këtyre fenomeneve.

Bashkëpunimi midis organeve të prokurimit publik dhe palëve të interesuara, përfshirë Komisionin Shtetëror të Ankesave, Komisionin Shtetëror për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, mbeti i kufizuar. Portali i prokurimit publik u azhurnua dhe u përshtat me kornizën e re ligjore. Kontratat e dhëna, të lidhura me njoftimet e kontratave, tani janë në dispozicion në mënyrë elektronike, thuhet në raport. Më shumë plane të prokurimit publik publikohen nga autoritetet kontraktuese, gjë që rrit transparencën dhe zvogëlon rrezikun e devijimit në fazën post-kontraktuese. Për të azhurnuar portalin e prokurimit elektronik, po zhvillohen seksionet në e-apelimet, tregun elektronik për prokurime me vlerë të vogël dhe katalogët elektronikë.

Çfarë planifikon të bëjë Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në strategjinë e saj 4 vjeçare dhe mbi ç’dokumente e bazon atë?!

Për përpilimin e Strategjisë në Nacionale 2020-2024, Komisioni Antikorrupsion ka marrë për bazë dokumente të rëndësishme edhe atë: Konventën e KB-së kundër korrupsionit, Raportet e Progresit të BE-së për Republikën e Maqedonisë,  qëllimet prioritare të përcaktuara në Programin Kombëtar për Miratimin e Acquis-it (NPAA), rekomandimet e vlerësimeve të GRECO-s për Republikën e Maqedonisë, sondazhe mbi perceptimin e qytetarëve për situatën me korrupsionin dhe konfliktin e interesave dhe analizat cilësore sektorale dhe dokumentet përkatëse kombëtare.

Strategjia Nacionale 2020-2024
Strategjia Nacionale 2020-2024

Strategjia kombëtare duhet të kontribuojë në uljen e nivelit të korrupsionit dhe sigurimin e besimit më të lartë të publikut në punën e legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit, si dhe rritjen e integritetit, transparencës dhe llogaridhënies në të gjithë sektorët e shoqërisë, ashtu siç edhe rekomandon BE-ja. Kjo do të realizohet duke përmbushur qëllimet e mëposhtme strategjike:

  •  Rritja e nivelit të përgjegjësisë politike

E domosdoshme që bartësit qeverisjes politike t’u përmbahen standardeve më të larta të llogaridhënies dhe etikës. Partitë politike dhe udhëheqësia e tyre duhet të demonstrojnë cilësi shembullore të integritetit të lartë, të jenë të hapura për shqyrtim dhe të shprehin vullnet politik kundër korrupsionit. Vullneti politik duhet të konkretizohet përmes miratimit dhe zbatimit të suksesshëm të ligjeve dhe programeve anti-korrupsion.

  • Menaxhimi i ndërgjegjshëm i ndikimit politik në sektorin publik dhe parandalimi i ndikimit politik në punën e organeve të pavarura dhe në procedurat e rregulluara me ligj

Strukturat politike duhet të respektojnë punën e organeve të pavarura, t’u sigurojnë atyre burime të mjaftueshme materiale dhe financiare për të punuar dhe me respekt maksimal të përmbahen nga çdo ndikim në punën e tyre, si dhe nga përfshirja në procedurat e parashikuara me ligj.

  •  Forcimi i integritetit dhe llogaridhënies në sektorin publik
  • Të zbatojë kompetencat e sektorit publik në një mënyrë të ligjshme, transparente, etike, me kosto efektive dhe të përgjegjshme 

Një sektor publik profesional dhe politik neutral që vepron në mënyrë të duhur, transparente, etike, ekonomike, të përgjegjshme dhe efektive është parimi themelor për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e besimit të publikut, thuhet në strategji.

  • Sigurimi i integritetit dhe transparencës në politikat e punësimit dhe personelit në sektorin publik, bazuar në një sistem vlerash dhe kriteresh të cilësisë

Një politikë e drejtë, e bazuar në merita dhe e depolitizuar e burimeve njerëzore është baza për ndërtimin e një sektori publik kompetent dhe profesional anti-korrupsion. Në punësim, është e nevojshme të ndiqen të gjitha procedurat e përshkruara, të përfshihen sa më shumë kritere të matshme për vlerësimin e kandidatëve në procedurën e përzgjedhjes dhe të bëhet një procedurë plotësisht transparente.

  • Forcimi i mekanizmave mbikëqyrës dhe kontrollues

Për zbatimin e duhur të ligjit të miratuar, si dhe për parandalimin e parregullsive dhe gjetjen e zgjidhjeve për korrupsionin, është e nevojshme të forcohen mekanizmat e kontrollit dhe inspektimit, të përmirësojnë kornizën ligjore dhe burimet financiare, njerëzore dhe materiale, si dhe të forcojnë njohuritë dhe aftësitë e punonjësit dhe rezistenca e tyre ndaj korrupsionit.

  • Digjitalizimi në të gjithë sektorët e shërbimeve publike

Digjitalizimi i të gjithë sektorëve të shërbimeve publike dhe përmirësimi i tij i vazhdueshëm, përmirëson efikasitetin dhe aksesin në ofrimin e shërbimeve publike, përshpejton proceset, zvogëlon kontaktet njerëzore dhe mundësitë për korrupsion, siguron transparencë të lartë në të gjitha nivelet, përmirëson ndërveprimin midis qytetarëve dhe qeverisë dhe proceset e këshillimit, dhe lehtëson kontrollet, analizën e të dhënave dhe zbulimin e korrupsionit.

  • Reduktimi i korrupsionit në prokurimin publik dhe në procesin e dhënies së granteve, subvencioneve dhe ndihmave të tjera shtetërore
  • Forcimi i kapaciteteve dhe angazhimit të organeve të zbatimit të ligjit të prokurorisë dhe gjyqësorit në zbulimin dhe sanksionimin e korrupsionit, si dhe forcimin e rezistencës ndaj korrupsionit në radhët e tyre
  •  Mbështetja e transparencës dhe integritetit në sektorin privat
  •  Ndërgjegjësimi i publikut dhe kryerja e edukimit anti-korrupsion
  • Përfshirja e shoqërisë civile dhe medias në luftën kundër korrupsionit në shoqëri dhe ndërtimin e integritetit personal dhe profesional

Komisionit për Antikorrupsion, së fundmi ka kritikuar mënyrë se si emërohen dhe shkarkohen drejtorët në institucionet publike dhe porositi që të gjitha institucionet t’i respektojnë ligjet materiale ndërsa Kuvendi të miratojë sa më shpejt ligjin për shërbim të lartë. Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion gjithashtu njoftoi se i kanë mbërritur një mori procedurash nga qytetarë që kërkojnë shpëtim nga procedura të ndryshme gjyqësore, konteste të punës, denacionalizim, shpallje për punësim dhe në përgjithësi me mos funksionimin e institucioneve të tjera në shtet, por për të cilat u deklarua si jo kompetente apo i hodhi poshtë si të pabaza, pasi bëhet fjalë për lëndë për të cilat veç më kanë vepruar institucione të tjera.

Pra vetë Komisioni është i pafuqishëm, ose më saktë gjysmak, nëse mungon bashkëpunimi dhe koordinimi me institucionet tjera përkatëse që kanë të bëjnë me luftimin, gjykimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button