RMV, Këtë vit ka 29 raste të reja, me terapi janë 306, kurse kanë vdekur gjashtë persona gjatë luftës kundër HIV/SIDA

Këtë vit, deri më 30 nëntor në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 29 persona të konfirmuar rishtazi me HIV-infeksion, me grupmosha të ndryshme, nga 20 deri 69 vjet. Të gjithë të diagnostifikuarit rishtazi janë meshkuj, ndërsa sipas mënyrës së transmetimit, te 25 persona infeksioni ka ndodhur te meshkuj të cilët kanë marrëdhënie seksuale me meshkuj, ndërsa 4 persona janë prononcuar si heteroseksual, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Gjysma e tyre HIV testin e kanë bërë në serviset për testime falas e anonime dhe për këshillime, në organizatat joqeveritare dhe në suaza të institucioneve, ndërsa të tjerët janë diagnostikuar në institucione tjera shëndetësore ose kanë ardhur nga jashtë shtetit, informon Ministria e shëndetësisë, me rastin e 1 dhjetorit, Dita botërore për luftë kundër HIV/SIDA.

“Në Klinikën për sëmundje infektive gjithsej 306 pacientë janë kyçur në sistemin për mbrojtje shëndetësore lidhur me HIV, ndërsa 99 % prej tyre pranojnë terapi antiretroviruse. Vetëm 3 persona ende nuk pranojnë terapi, për shkak të analizave të domosdoshme paraprake apo me vendim personal të pacientit”, njoftuan nga kjo ministri.

Ata shtojnë që 91% e pacientëve e kanë të ashtuquajturin nivel të padetektueshëm të virusit në gjak dhe pritet që kjo të arrihet te të gjithë ata që kanë filluar me terapi. Atëherë imuniteti do të mund ta kryejë funksionin e vet dhe të rigjenerohet, ndërsa gjithashtu është përjashtuar edhe mundësia për transmetim të virusit.

Nga Ministria e shëndetësisë shtojnë që gjatë vitit 2020 kanë vdekur gjithsej 6 pacientë, me ç’rast 4 persona janë diagnostikuar me vonesë, ndërsa 2 persona kanë refuzuar të mjekohen. Ata shtojnë që pacientët kanë përkrahje të vazhdueshme mjekësore dhe psikosociale në kushte të kovid-19.

“Programi për mbrojtje të popullatës nga HIV-infeksioni për vitin 2020 edhe përkrah pandemisë me Kovid-19, jep rezultate. Në periudhën nga 1 janari deri 30 nëntor 2020 me pako bazike të shërbimeve për parandalim janë përfshirë 8.353 persona nga popullatat kyçe edhe atë: gjithsej 3.656 persona që injektojnë drogë (81 % e qëllimit të përcaktuar nga 4.500 persona), nga të cilët 313 janë persona të ri; gjithsej 1.596 punëtorë seksual (86 %), nga të cilët 144 janë shfrytëzues të shërbimeve dhe gjithsej 3.101 meshkuj që kanë marrëdhënie seksuale me meshkuj (62 % e qëllimit të vendosur), nga të cilët 641 shfrytëzues të ri të shërbimeve”, kanë njoftuar nga ministria.

Këtë vit me HIV-testim falas dhe anonim me skrining teste të shpejta nëpërmjet organizatave të qytetarëve janë përfshirë 1.773 pjesëtarë të popullatave kyçe, persona të cilët injektojnë drogë, punëtorë seksual dhe meshkuj që kanë marrëdhënie seksuale me meshkuj.

Janë detektuar 11 rezultate reaktive të testeve dhe këta persona kanë qenë të lidhur me Klinikën për sëmundje infektive. Ndër të gjitha popullatat e prekura, gjithsej janë distribuuar 219.508 prezervativë dhe 54.480 materiale informative dhe edukative, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Platforma për mirëmbajtje të serviseve për parandalim dhe përkrahje për HIV”, ku bëjnë pjesë më shumë organizata dhe shoqata qytetare, ka publikuar që edhe në kushte të krizës, organizatat e qytetarëve në shtet çdo ditë japin shërbime tereni dhe stacionare për parandalim, testim dhe përkrahje lidhur me HIV, në mesin e popullatave kyçe, ndërsa në mënyrë plotësuese, me përkrahjen ndërkombëtare “Platforma” është në proces të sigurimit të donacionit prej 10.000 testeve të shpejta për kovid-19.

“Këtë vit, rreth 30% të rasteve të zbuluara rishtazi me HIV janë nëpërmjet shërbimeve nga sektori qytetar. Megjithatë, ende shqetëson numri i ulët i rasteve këtë vit, që është dyfish më i ulët nga ai i vitit të kaluar, që sugjeron se epidemia me kovid-19 ka ndikim negativ mbi diagnostikimin e hershëm të HIV, që në anën tjetër është vendimtare për luftë të suksesshme me HIV dhe për realizim të qëllimit global, t’i jepet fund epidemisë deri në vitin 2030”, informojnë nga “Platforma” dhe shtojnë që terapia për HIV paraqet një nga mënyrat më efektive të parandalimit të HIV.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button