Niset trimi për komunë!

Ndonëse shkaku i ndodhive të fundit në Kuvend në Maqedoni ende vazhdon dilema se çfarë do jenë zgjedhjet që do mbahen këtë pranverë, nëse do jenë vetëm lokale apo edhe parlamentare siç kërkon opozita maqedonase, subjektet shqiptare kanë shpallur gati gjithë kandidaturat për kryetarë të komunave.

Me këto kandidime ata kanë shfaqur edhe praktikisht se nuk e kanë fare këtë dilemë por edhe atë se nuk do dinë çka të bëjnë në rast se opozita qëndron në këto kërkesa dhe madje vazhdon aktivisht ti bojkoton zgjedhjet lokale, bile deri në paralajmërimet se mund edhe të kontribuojnë që të njëjtat të mos mbahen.

Vërtet çfarë do bëjnë këto subjekte politike shqiptare nëse ky bojkot do jetë aktiv? Si do ju reflektohet kjo në komunat ku si pasojë e bojkotit, kandidati maqedonas do jetë vetëm një? Si do ja bëjnë nëse dikush nga opozita edhe në komuna etnikisht të përziera vendos që aktivisht ti bojkotojë ato deri edhe me pamundësim të mbajtjes së tyre?

Se këto subjekte nuk kanë qëndrime paraprake dhe të tërësishme politike për proceset në Maqedoni është vërtetuar shumë herë por edhe një analizë e cekët mbi këto kandidime e dëshmon këtë fakt.

Të nisim me kandidimet e BDI-së. Me këto kandidatura u pa se ato nuk kanë parasysh as dilemën për qëndrimet e mëtutjeshme të opozitës maqedonase, por as votat potenciale të veta në komuna ku shqiptarët ndonëse nuk janë shumicë mund të jenë shumë vendimtarë për fituesit e ardhshëm: siç është rasti në Ohër, Resnje apo edhe komunën kyçe të projektit “Skopje 2014”, komunën Qendër të Shkupit.

Spekulimet se me kandidat të fortë për aty, siç është Musa Xhaferi, BDI në kësi konstelacioni do mund të fitonte edhe Makedonski Brod-in, mbeten vetëm spekulime. Kjo pasi ata me kandidimet e sotshme zyrtare kanë harruar një komunë të tërë, të veten. Komunë që e aktualisht e kanë të fituar: Dollneni! Ai që harron komunën që ka pas dhe komunat si Mavrovo-Rostushe ku herën e kaluar humbi vetëm me pak dallim nga partneri i vet qeverisës DPMNE, ose nuk mund ta gjejë as edhe në hartë ndonjë komunë shtesë si Makedonski Brod ose nuk i është lejuar nga partneri vet qeverisës të emërojë kandidatura për komuna të reja.

Ky fakt mund të jetë argument shtesë i opozitës shqiptare dhe i të pakënaqurve nga vet BDI-ja për ndikimin e partnerit të koalicionit DPMNE edhe në këto kandidime siç spekulohej në opinion për Strugën, Tetovën dhe Dibrën!

Moment tjetër interesant për analizë në këtë shpallje kandidaturash është disproporcionaliteti mes bindjes që shfaqet në promovimin e tyre si: “kryetarë të ardhshëm” dhe kandidimit të tyre në një proces kaq të avashtë dhe me këste. Nëse janë aq të sigurt në fitoren e tyre pse kaq vonë dhe pse kështu: pjesë-pjesë? Në këtë rast kur opozita i kishte shpallur kandidatët e vet e vetmja përgjigje në këtë pyetje për drojën e partisë qeverisëse do ishte: frika nga zbrazëtira politike evidente ndër shqiptarët e Maqedonisë. Kjo zbrazëtirë dhe nënpërfaqësim politik, më së miri argumentohet me numrat dhe përqindjet e gjithsej atyre që kanë votuar në njësinë numër gjashtë në zgjedhjet e fundit parlamentare apo edhe në ato më të freskëtat: zgjedhjet e pjesshme komunale për komunën e Saraj-it.

Pasi edhe me miratimin e buxhetit u pa se në BDI askush nuk ka sy për numra, mbetet vetëm shpjegimi se në kësi rrethana dykreu i BDI-së nuk kishte aq fuqi dhe kontroll brenda partisë që të shpallë ashtu lehtë kandidaturat e veta. 
Pakënaqësitë, të strukura momentalisht, ende mund të shpërthejnë diku-diku, në formë të kandidatëve të pavarur, në një kontekst si ky i tanishmi. Kontekst i përbërë nga mospërfaqësimi politik shqiptar, përzierja e DPMNE-së në kandidime dhe bojkoti i paralajmëruar i opozitës maqedonase.

Kurse analizimi i kandidaturave të dy subjekteve tjera politike shqiptare nuk vlen por edhe është i pamundshëm. Kjo pasi dyja këto, edhe pse në emrat e tyre njëra ka epitet “shqiptare” e tjetra “kombëtare”, nxjerrin kandidatë vetëm diku-diku dhe diku- duku (vetëm sa për të pasë dhe për tu dukë se ka kandidat).

Me pretendimin se janë parti kombëtare për gjithë shqiptarët e Maqedonisë e me kësi kandidatura, duken sikur ndokush që ka hapur supermarket kurse ka për qëllim të shes dhe brenda i ndodhen vetëm produktet apo zarzavatet e katundit të vet. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button