Euroambasadori David Geer: Kërcënimet ndaj punonjësve të Metamorfozis duhet të hetohen menjëherë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer sot përmes llogarisë së tij në Twitter shprehi mbështetje dhe kërkoi hetim të menjëhershëm sa i përket gjuhës së urrejtjes dhe ndjekjes që po zhvillohet në internet këto ditë kundër punonjësve të Fondacionit Metamorphosis, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.

“Sapo bisedova me Metamorphosis pas fushatës së shpifjeve kundër tyre. Nuk duhet të ketë vend për nxitje të urrejtjes ose përhapje të akuzave të rreme nëpër mediume. “Kërcënimet ndaj punonjësve të Fondacionit Metamorphosis duhet të hetohen menjëherë”, shkroi Geer në llogarinë e tij në Twitter.

Përndryshe para katër ditësh, në natën kur shumica e qytetarëve po festonin fitoren e ekipit kombëtar maqedonas të futbollit dhe vendosjen në Kampionatin Evropian të futbollit, rreth mesnatës në ueb faqen www.lider.com.mk u botua një tekst me titull “(FOTO) Këta janë njerëzit që fshijnë përmbajtje nga Facebook-u në Maqedoni!” ku dhe ishin të renditura edhe shumë pretendime të pavërteta dhe shpifëse. Ndër të tjera, në tekstin e diskutueshëm ishin të publikuara disa fotografi kolazh të disa prej punonjësve të Fondacionit Metamorfozis ndërsa në titull shkruhej se këto janë njerëzit që fshinë përmbajtje nga aplikacioni “Facebook”. Më poshtë në tekst janë të listuar emrat dhe mbiemrat e të gjithë punonjësve.

Ky tekst është marrë gjatë natës së 12 nëntorit dhe në ditët në vijim. Për këtë u publikuan edhe linqe të më shumë portaleve përfshirë kurir.mk, netpress.com.mk, bregalnicki.mk, times.com.mk dhe dokazm.mk. Teksti, fotot e punonjësve të fondacionit, si dhe emrat e tyre u shpërndanë direkt në rrjetet sociale më shumë se 40 herë. Teksti u nda gjithashtu nga faqet zyrtare të dy partive politike në facebook. Komentet mbi këto aksione janë të shumta me gjuhë urrejtjeje dhe linçim publik të punonjësve.

Përkundër qindra komenteve të gjuhës së urrejtjes, disa përdorues të mediave sociale i thirrën punonjësit e Metamorphosis që të “varen në një shtizë”, t’u sjellin kurora funerale, të sëmuren me Covid-19, të pështyhen në publik dhe të ngjashme etj.

Megjithëse Metamorphosis mohoi insinuatat keqdashëse dhe shpifëse që i bënin presion lirisë së fjalës, ajo nuk u botua nga media që filloi ndjekjen, ose nga pothuajse të gjitha mediat e tjera që mbuluan përmbajtjen. Mohimi është publikuar vetëm nga portali bregalnicki.mk.

Shoqatat e gazetarëve, KEMM, SHGM, SPGM dhe IMM javën e kaluar dënuan gjuhën e urrejtjes kundër ekipit të Organizatës Joqeveritare “Metamorphosis” dhe i bënë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të kryejë një hetim urgjent për të përcaktuar identitetin e personave që nxitën gjuhë urrejtjeje përmes komenteve në rrjetet sociale, dhe pastaj Prokuroria Themelore Publike të fillojë një çështje përmes së cilës ata do të sanksionohen në përputhje me Kodin Penal.

Gjatë fundjavës, SHGM, KEMM dhe SPGM përsëritën edhe një herë thirrjen deri te Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike për të reaguar kundër gjuhës së urrejtjes, e cila kohët e fundit është në rritje, jo vetëm kundër Fondacionit Metamorphosis, por edhe kundër gazetarëve të tjerë të shquar në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button