Dorëheqja e Veljanovskit kthen LSDM në Kuvend?

Opozita jashtë institucioneve, në rrugë, ndoshta edhe jashtë zgjedhjeve lokale. Kjo është situata momentale politike në Maqedoni, nga e cila kërkohet rrugëdalje dhe kompromis, që tani për tani duket shumë larg. 

Portalb mëson se nëse opozitës maqedonase i vihet presion ndërkombëtar që të kthehet në Kuvend, kushti i parë për një hap të tillë do të ishte dorëheqja e Trajko Veljanovskit nga vendi i kryeparlamentarit. Një situatë e tillë do ti hapte rrugën BDI-së që të kërkon vendin e kryeparlamentarit. Nga grupi parlamentar i BDI-së jozyrtarisht brifojnë se një skenar i tillë nuk është i pamundur.

Ideja për qeveri teknike përputhet edhe me kërkesat e opozitës maqedonase, e cila mbrëmë u mblodh për të shqyrtuar gjendjen politike dhe për të krijuar strategjinë për hapat e mëtutjeshëm.

Nga informatat e para pas mbledhjes së kryesisë së LSDM-së, merret vesh se partia e Cërvenkovskit do të kërkojë qeveri teknike, e cila bashkë me zgjedhjet lokale do të organizojë edhe zgjedhje parlamentare në mars të këtij viti. Përveç kësaj, LSDM kërkon që ministrat e drejtësisë, punëve të brendshme dhe financave të jenë me pëlqimin e pozitës dhe opozitës, mbikëqyrjen e shpenzimit të parave publike në fushatë parazgjedhore dhe mbikëqyrje më të madhe ndërkombëtare të zgjedhjeve.
Ekspertët nuk besojnë se një zgjidhje eventuale mund të vijë shpejt.

“Nuk pres që opozita të kthehet në Kuvend, sepse Kuvendi më 24 dhjetor e humbi epitetin ‘Tempulli i demokracisë’. Dalja në zgjedhje lokale mund të kushtëzohet me plotësimin e disa kushteve të cilat do ti përmbushin vërejtjet e OSBE dhe ODIHR, por më së shumti do të mundësojnë funksionimin e institucioneve dhe parandalimin e keqpërdorimit të tyre për qëllime politike. Në fakt këto ishin edhe vërejtjet nga bashkësia ndërkombëtare” – thotë Frosina Remenski, eksperte.

Sipas saj, mënyra më e mirë për tejkalimin e krizës është formimi i qeverisë teknike, ose qeveri të gjërë e cila do ti organizojë zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës politike dhe realizimin e zgjedhjeve sipas rekomandimeve, është formimi i një qeverie teknike, si garancë për zgjedhje të drejta dhe të ligjshme. Por, për këtë nuk vendosin qytetarët, por politikanët” – tha Remenski për Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button