Austria kërkoi informata për tre shtetas të Maqedonisë së Veriut, Zaev dhe Kurc biseduan në lidhje me rastin
Ministria e punëve të brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut ka pranuar sot nga policia austriake Kërkesë për bashkëpunim dhe informata për sulmin terrorist që ndodhi dje në Vjenë, transmeton Portalb.mk.
“Sot nga policia austriake, përmes Europolit, në MPB është dorëzuar kërkesa për bashkëpunim dhe informacioni në lidhje me sulmin terrorisit që ndodhi dje në Vjenë. Nga lista e policisë austriake, është konfirmuar se tre persona përveç shtetësisë austriake, kanë edhe shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, raportojnë nga MPB-ja.
Raportohet se në listë janë: K.F. (lindur në Modling, Austri), A.G. (lindur në Sent Polten, Austri) dhe U.A. (lindur në Vjenë, Austri)
Lista austriake përveç në MPB, është dorëzuar edhe në shtetet tjera.
“Sektori për bashkëpunim policor ndërkombëtar, pranë MPB-së, menjëherë është vendosur në gatishmëri të kolegëve nga Austria, dhe intenzivisht bashkëpunojmë në të gjitha elementet e lidhura me këtë rast”, sqarojnë nga MPB-ja.
MPB-ja sqaroi gjithashtu se në lidhje me rastin kanë diskutuar edhe dy kryeministrat, Sebastina Kurz dhe Zoran Zaev, ku ky i fundit shprehu gatishmërinë për bashkëpunim.
Gjithashtu, Bujar Osmani, Ministri për punë të jashtme në RMV sot u takua me Georg Woutsas, Ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Austrisë në RMV, ku i shprehu gatishmërinë për bashkëpunim dhe ngushëllime për viktimat.
“Duke pasur parasysh informacionin në lidhje me shtetësinë e mundshme të dyfishtë të disa prej pjesëmarrësve, mora konfirmim nga strukturat tona të sigurisë se janë vendosur plotësisht në dispozicion për nevojat e organeve të ndjekjes të Austrisë, si dhe Europolit. Maqedonia e Veriut do të përpiqet pa rezervë në ballafaqimin dhe shkatërrimin e këtij lloji dhe të çdo lloji tjetër të terrorizmit dhe dhunës ndaj njerëzve të pafajshëm, të cilët kërcënojnë stabilitetin dhe demokracinë e Evropës dhe i dëmtojnë vlerat themelore dhe principet e saj”, deklaroi Osmani.
Ndryshe, në sulmet e djeshme me armë në kryeqytetin austriak Vjenë, mbetën të vdekur katër persona, ndërsa shtatëmbëdhjetë të tjerë janë plagosur, disa rëndë – pasi persona të armatosur hapën zjarr në gjashtë vende të ndryshme.